“Skuadër fitimtarësh”/ Veliaj mbledh për herë të parë këshilltarët e bashkisë së Tiranës

Pas fitores në zgjedhjet e 14 Majit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi dje pasdite një takim me anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak, të cilët do të jenë pjesë e Parlamentit të qytetit në 4 vitet e ardhshme. Në takimin falenderues me ta, Veliaj tha se ky ishte rasti më domethënës ku një forcë politike arrin të përkthejë fitoren e bashkisë në fitore edhe të shumicës së Këshillit Bashkiak.

“Kjo është vërtet një skuadër fitimtarësh sepse rezultati na dha të drejtë. Ne zbatuam këshillën e kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Socialiste, që të sigurohemi që vota nuk trajtohet si qokë, vota nuk trajtohet si lëmoshë apo si bakshish. Çdo votë është e shenjtë, si vota për kryetarin, ashtu edhe vota për Këshillin Bashkiak. Ndaj, jam krenar që siguruam që çdo votë për kryetarin të përkthehej në një votë për Partinë Socialiste dhe këshilltarët, për të dëshmuar që jemi jo vetëm forca më patriotike, jo vetëm forca më bashkëkohore, jo vetëm forca më progresiste, por edhe forca më e disiplinuar politike në Republikën e Shqipërisë. Kjo është partia jonë dhe skuadra jonë! Ju falenderoj për këtë,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se kjo votë duhet trajtuar si një përgjegjësi e madhe, pasi qytetarët dhanë besimin për t’i përfaqësuar në 4 vitet e ardhshme për çdo problematikë dhe shqetësim.

“Me këtë fitore të madhe vjen edhe një përgjegjësi e madhe. Detyra për secilin prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak është të sillet si një deputet i qytetit, jo vetëm kur garon, por çdo ditë, duke filluar që sot, si një kujtesë që kjo nuk është fitore për të na ngritur në qiell, por kjo është një fitore për të na ulur me këmbë në tokë,” nënvizoi ai.

“Shpresoj shumë që respektin e madh që ju bënë njerëzit duke ju sjellë në Parlamentin e kryeqytetit, jo vetëm të Shqipërisë, por të të gjithë shqiptarëve, të kujdeseni si për një enë kristali, e cila duhet të trajtohet me respekt që të mos thyhet, sepse i tillë është besimi. Mund të jetë shumë e lehtë për ta marrë, por shumë i vështirë për ta mbajtur. Nëse do ta trajtoni me respekt, si diçka të shenjtë, këtë besim që ju dhanë njerëzit, jam i sigurt që njerëzit do vazhdojnë t’ju japin besimin, do vazhdojnë të votojnë Partinë Socialiste, do vazhdojnë të votojnë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë që sjellin zërin e tyre në Këshillin Bashkiak,” vijoi Veliaj.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko u shpreh mirënjohëse ndaj çdo qytetari që i dha shumicën PS në Tiranë. “14 Maji ishte një ditë krenarie për ne. Ishte një ditë kur qytetarët e Tiranës vendosën të besonin alternativën dhe ofertën politike të Erion Veliajt dhe Partisë Socialiste, duke na besuar tani me një shumicë absolute të këshillit bashkiak me 34 këshilltarë. Sot në emër të të gjithëve dua të falenderoj çdo qytetar që i ka besuar ofertës, premtimeve tona dhe mbi të gjitha i ka besuar punës tonë që duhet të vazhdojë,” tha ajo.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *