Ndonëse situata është përmirësuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit, e ku numri i shtrimeve ka pësuar një ulje të ndjeshme, për ekspertët është ende larg ideja e heqjes së masave kufizuese. Ministria e Shëndetësisë, në përditësimet ditore ka njoftuar për një ulje drastike të shtrimeve në spitale. Por ekspertët janë të mendimit për një lehtësim masash, e jo për heqje të tyre.
Anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Skënder Brataj, thotë se indikatorët e pandemisë janë pozitivë, por nuk flitet për heqje totale të masave.
“Kuptohet që situata është shumë e mirë, indikatorët janë shumë mirë. Janë masat për orarin dhe maskat në ambientin e jashtëm. Pritet për lirim, jo për heqje të çdo mase, sigurisht ka shkurtim të orës policore por heqje totale te kufizimit nuk është e këshillueshme. Vendimet do merren dy ditë përpara mbledhjes së Komitetit duke parë situatën”.
Dje me rastin e Fiter Bajramit, besimtarët nuk ruajtën distancën dhe as nuk mbajtën maskat. Brataj thotë se numri i infektimeve do të shihet pas 2-3 javësh.
“Nuk mjaftoi gjithë ajo fushatë elektorale, por dje ishte më keq se të gjithë ditët për grumbullimet jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë qytet dhe do reflektohet pas 2-3 javësh”.