Kreu i Shtetit, Ilir Meta, ka reaguar sërish sot lidhur me mesazhet që u janë dërguar qytetarëve ne emër të tij. Me anë të zëdhënësit të tij, njofton se i është drejtuar një kompanie telefonike, lidhur me keqpërdorimin e mesazheve telefonike, sikur janë dërguar nga numri personal zyrtar në adresë të disa qytetarëve. Më herët presidenti është shprehur se numri i tij i telefonit është keqpërdorur, dhe se pas këtij abuzimi fshihet një grup kriminal.
Presidenti Meta është në pritje të informacionit nga kompania telefonike, pas denoncimit se mesazhe fyese e kërcënuese ishin dërguar në emrin e tij disa personave. Zëdhënesi i presidentit Meta, Tedi Blushi shkruan se sot Kreu i Shtetit iu drejtua me një kërkesë për informacion kompanisë telefonike, pasi sipas të dhënave të siguruara, mesazhet e manipuluara janë dërguar nga qendra e mesazheve të kompanisë “One Telecommunications”.
Statusi
Sot, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ju drejtua me një kërkesë për informacion kompanisë “One Telecommunications” lidhur me keqpërdorimin kriminal të mesazheve telefonike, gjoja sikur janë dërguar nga numri i Tij personal zyrtar, në adresë të disa qytetarëve. Sipas të dhënave të siguruara, mesazhet e manipuluara, janë dërguar nga qendra e mesazheve të kësaj kompanie telefonike. Për këtë arsye, Presidenti Meta është në pritje nga “One Telecommunications” të informacionit të nevojshëm, para nisjes së procedurave ligjore në sistemin ndërkombëtar.