Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me rastin e përdhunimit të 11-vjeçares në Kosovë, nga 5 burra.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Berisha shkruan se përdhunimi i të miturës është një akt i tmerrshëm e çnjerëzor, i dënueshëm në çdo nivel të tij.
Sakaq shton se qytetarët shqiptarë të solidarizohen sot në protestën që do të mbahet në sheshin ‘Nën Tereza’, ora 18: 30.
Postimi i plotë:
Miq, mbështes me përulje protestën ‘Solidaritet me Prishtinën’ që do të mbahet sot në Sheshin Nënë Tereza, në ora 18:30, për mbrojtjen e vajzave dhe grave nga dhuna shtazore e patriarkale.
Solidariteti është forma më fisnike e ndarjes së dhimbjes, zhgënjimit, indinjatës, kërkesës për drejtësi ndaj fenomeneve monstruoze që ndodhin në një shoqëri si dhe e angazhimit shoqëror për edukimin e mëtejshëm të të rinjve e parandalimin e krimeve të një kalibri që në fakt nuk duhet të kryeshin më.
Përdhunimi i vogëlushes 11 vjeçare nga 5 meshkuj në Prishtinë është një akt i tmerrshëm e çnjerëzor, i dënueshëm në çdo nivel të tij. Është një akt që prek një shoqëri të tërë, brenda e jashtë kufijve, që tejkalon ligje, rregulla e norma të shkruara dhe që kërkon një angazhim masiv, sa shpirtëror e intelektual aq edhe fizik, lëvizës e shkundës, siç po bën Kosova e sa mirë edhe Shqipëria që e mbështet.
Shoh një reagim të menjëhershëm dhe të jashtëzakonshëm, brenda e jashtë trojeve të vëllezërve e motrave tanë në Kosovë, për këtë ngjarje që më ka lënë pa fjalë e më ka tronditur sa s’ka. Ndaj, duke kërkuar ndëshkimin shembullor të kriminelve të këtij akti, shpreh solidaritetin tim me viktimën dhe familjen e saj dhe bashkohem plotësisht me çdo reagim të ardhur si pasojë e këtij krimi kolektiv që s’duhej të kish ndodhur kurrë. #sb