Ngjarja e rëndë në Kosovë ka tronditur jo pak opinionin publik edhe në vendin tonë. Pasditen e sotme në orën 18:30, pritet të mbahet një protestë në kërkim të drejtësisë për 11-vjeçaren e përdhunuar në Kosovë.
Në mbështetje të protestës padyshim që janë solidarizuar shumë qytetarë apo personazhë të njohur publikë. Jashtë kësaj çështjeje delikate nuk kanë mbetur as politikanët e vendit tonë. Një ndër to është edhe Presidenti Ilir Meta.
Me anë të një postimi në rrjete sociale Meta shkruan se e mbështet plotësisht protestën ‘Solidaritet me Prishtinën’. Ai shton gjithashtu se drejtësia duhet t’u japë dënimin e merituar personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
“Mbështes dhe solidarizohem plotësisht me protestën ‘Solidaritet me Prishtinën’ e thirrur sot në Tiranë, në ora 18:30, në sheshin “Nënë Tereza” për mbrojtjen nga dhuna patriarkale të vajzave, grave dhe nënave shqiptare.
Duke ju bashkuar kërkesës legjitime për ndëshkimin më shembullor të autorëve që dhunuan vogëlushen 11-vjeçare në Prishtinë, akt i rëndë që tronditi mbarë shoqërinë shqiptare, si dhe duke shprehur të gjithë mbështetjen time për të dhe familjen e saj, solidarizohem sot me thirrjen për të reaguar fuqimisht ndaj një krimi që nuk duhet të gjejë vend në shoqëritë tona”, shkruan Ilir Meta.