Më shumë shqiptarë mendojnë që reforma në drejtësi ka ecur keq se sa mirë, sipas një vrojtimi të Euronews Albania. Një në katër persona (25,1%) mendojnë se reforma ka shkuar keq dhe një në dhjetë (11%) mendojnë se ajo ka shkuar shumë keq.
Në total më shumë se një e treta e shqiptarëve mendojnë që ajo ka shkuar keq ose shumë keq. Ndërkohë, që thuajse asnjë shqiptar nuk mendon se ajo ka shkuar shumë mirë (0,8%) dhe më pak se çereku (24%) mendojnë se ka shkuar mirë.
Është një rënie drastike e besimit të qytetarëve në reformën në drejtësi, pesë vjet pas fillimit të zbatimit të saj.
Në 2016-ën, miratimi i reformës në drejtësi u propagandua përmes mbështetjes së madhe të qytetarëve—vrojtimet tregonin se mbi 91% e tyre donin reformimin e sistemit të drejtësisë.
Analizuar sipas prirjeve të votuesve, pakënaqësia më e madhe është midis votuesve të Partisë Demokratike—gati dy të tretat e tyre mendojnë se reforma ka shkuar keq.
Perceptimi i kundërt mbizotëron mes votuesve socialistë: gjysma e tyre (50,3%) mendojnë se reforma ka shkuar mirë dhe vetëm një në dhjetë (11%) se ka shkuar keq.
Mes qytetarëve që nuk kanë votuar asnjërën nga palët, një e treta (32,2%) mendojnë që reforma ka shkuar keq dhe më pak se dy në dhjetë (14,5%) prej tyre mendojnë se ka shkuar mirë.
Rezultatet janë të një vrojtimi për Euronews Albania, realizuar në muajin shtator nga kompanitë e specializuar në kërkimet të opinionit MRB dhe Data Centrum.