Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ka zhvilluar një takim me kreun e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metanin. Pas takimit, Soreca deklaroi me anë të një statusi në llogarinë e tij në ‘Twitter’, se Bashkimi Evropian mbështet ILD-në me asistencë teknike për rritjen e efikasitetit të këtij institucioni.
Teksa ka dhënë detaje për takimin, Soreca ka përgëzuar Metanin për vitin e parë të punës.
“I lumtur që u takova serish me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani në ambientet e tij të reja. E përgëzova për vitin e parë të punës, përfshirë edhe komunikimin e mirë me publikun. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të sigurojë asistencë teknike për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë për të rritur më tej efikasitetin e tij”, ka shkruar Soreca.
Kujtojmë se ILD ka qenë deri tashmë një institucion i suksesshëm në vetëm kaq pak kohë funksionaliteti. Vetëm në një vit, përmes denoncimeve të ILD janë penalizuar për shkelje të rënda disa gjyqtarë si Enkelejda Hoxha, Markelian Kuqo dhe Shkëlqim Miri.