Sot, 176 vjetori i lindjes së Naim Frashërit

Këtë të dielë përkujtohet 176-vjetori i lindjes së poetit tonë Naim Frashërit.

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime.

Veprat e tij më të shquara janë: “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhënnai greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..

Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.

Priza.al ju sjell 5 fakte që ndoshta që s’i keni ditur për Naim Frashërin:

  • Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë;
  • Shteti iranian në shenjë nderimi për kontributin e tij në gjuhën perse i kushtoi një emetim special pullash postare me imazhin e poetit Frashëri;
  • Naim Frashëri ndërroi jetë në Stamboll dhe për të nderuar veprimtarinë e tij, eshtrat u sollën nga Stambolli në atdhe, në vitin 1937. Italianët i ndërtuan një varr monumental e për rrjedhojë i riorganizuan një ceremoni tjetër në 1940 në Tiranë, që dëshmohet nga këto foto të arkivit italian “Luce”;
  • Ai fliste greqisht, frëngjisht, italisht ndërsa jashtë shkollës mësoi arabisht e persisht;;
  • Naimi, më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e “Gramatikës” së K. Kristoforidhit

Mirënjohjet:

  1. Një numër i madh shkollash të niveleve të ndryshme në territoret shqiptare e mbajnë emrin “Naim Frashëri”;
  2. Prerja e kartmonedhës 200 lekëshe;
  3. Libra mbi dhe për krijimtarinë e Naim Frashërit;
  4. Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet
  5. Emrin përkëdhelës i përdorur nga populli dhe intelektualët: Naimi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *