Këngëtarja Marie Kraja, ka lindur në 24 shtator 1911, në Zarë të Dalmacisë në Kroaci, në vitin 1911 dhe sot në 21 nëntor përkujtohet viti i 23-të që ajo është ndarë nga jeta.
Ajo dallohej për një natyrë të qeshur por më shumë për një këngëtare të rrallë me një timbër të qartë muzikor në kanto. Zëri i saj i pastër dhe i kthjellët ishte një mrekulli në publikun shqiptar të kohës kur u shfaq. Kishte një dinamikë të qartë të qëndrueshmërisë të vokalit të saj.
Që e vogël bashkë me familjen ajo vendoset në Shkodër. Më pas duke filluar nga 1930 studioi si shumë shkodranë, në Graz të Austrisë deri në vitin 1934.
Edhe sot gjysma e shkodranëve këndojnë, gjysma bëjnë humor, ose më mirë gjithë shkodranët kanë për zemër artin, sa gjysma e shkodranëve edhe sot dalin artistë, gjysma kanë dialog aq të këndshëm për kulturën e tyre.
Marije Kraja herë-herë interpretonte kur studionte në Austri kompozimet e Bethovenit, Brunkerit, Vangerit, Pucinit, Verdit e Moxartit. Këto kryevepra që të bëjnë madhështor dhe profesionist në profesion ashtu si ishte edhe ajo, një yll i muzikës kombëtare.
Me tipare të qarta sopranoje, ajo mishërohet profesionalisht në kumbimin e zërit në rolin e Ollgas në operan “Rulaska”, në vitin 1950.
Në Konservatorin e Gracit, mbrojti doktoraturën me këngët lirike “Marshalla bukurisë tande” dhe “Midis ballit më ke një pikë”, gjë që ishte një kontribut edhe për muzikën shqiptare që të merrte një karakter ndërkombëtar.
Ajo solli një traditë të re të kantos në Shkodër krahas femrave të tjera përparimtare në muzikë siç ishte Tefta Tashko Koço. Ishte një nga femrat përparimtare që thyente tabu atëherë kur mjerimi ndalonte femrën për gjithçka.
Fare mirë ajo mund të quhej shumë e emancipuar sa ishte e gjithë Shkodra me kulturën e saj të dalluar. Një femër e një lloj Hollivudi shqiptar ku përulesh me respekt.
Njësoj si sopranoja e famshme dhe kolegia Tefta Tashko Koço, të dyja bashkë u munduan me mish e me shpirt për të sjellë një repertor të këngëve tradicionale popullore shqiptare dhe ia dolën. Kjo traditë është e fuqishme edhe sot në instrumentistë dhe muzikologë klasikë që e dashurojnë me zemër muzikën e tabanit popullor nga janë rritur.
Kur ajo këndonte, shpërthente zëri i saj i rrjedhshëm si një perlë e rrallë e muzikës. Krah për krah me Ibrahim Tukiqin, në këngën “Kush më rri karshi karshi” vjen aq kumbues, sa i tejkalon instrumentat dhe kumbonin tek artdashësit. Zëri i saj rrjedh si burim pa ndalesë dhe gjithmonë shpërthen ëmbël. Ka një vazhdueshmëri të njëtrajtshme të shpërthimit të vokalit të saj në çdo këngë e sidomos këngëve popullore që ajo i donte aq shumë.
Në vitin 1936 ishte pedagoge në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Gjë që kontribuoi në ngritjen e një gjenerate të re dhe me mendim ndryshe për kulturën dhe muzikën. Kushedi sa këngëtarë të njohur dhe të dëgjuar kanë kaluar nga kjo femër e jashtëzakonshme e operas shqiptare.
Në 1946 ajo punoi në Radio-Tirana dhe Liceun Artistik “Jordan Misja’’. Në vitin 1962 ajo ishte pedagoge e Konservatorit Shtetëror të Tiranës ku vazhdoi derisa mbaroi karrierën e saj të plotë dhe doli në pension në vitin 1966.
Ishte një nga gurët e themelit të muzikës operistike dhe të këngës në Shqipëri, e një nga zërat më të rrallë. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para në premierën e parë të këtij institucioni. Ajo merr pjesë gjithashtu në operën e parë shqiptare ‘’Mrika’’.
Aktiviteti i saj jashtë Shqipërisë është i pasur ku ndër të tjera kalon në skenat e mëdhaja të shteteve të Italisë, Austrisë, Gjermanisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik.
Ajo u rrit dhe bashkëpunoi me një grup të madh artistësh që në vetvete ishin të gjithë divë të muzikës si Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,
Ka marrë pjesë në emër të Shqipërisë në Vjenë në “Mbrëmjen e kombeve me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.
Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me profesorin dhe pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Ky profesor ishte i njohur për bashkëpunimet e tij me të gjitha këngëtaret e njohura të kohës.
Disa nga rolet kryesore të veprave artistike që ajo i zhvilloi me një profesionalizëm të lartë janë në operat shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.
Pasioni i saj i madh ishte mbledhja dhe kënga popullore ku dallohen 300 këngë popullore sidomos nga zona e veriut të Shqipërisë të mbledhura nga qytetet Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj ku u ruajtën në institucionin e Radio-Tirana si fond i trashëgimisë kulturore shqiptare.