Sot më 17 janar shënohet 555 vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Gjergj Kastrioti lindi më 6 maj 1405 dhe ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ai më pas u mor peng nga ushtria otomane pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë.
Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte ushtrinë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Si një burrë i madh shteti, ai udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar.
Me Kuvendin e Lezhës Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet shtetit shqiptar. Për 25 vjet me radhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit dhe të vendit të vet dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës që kur ka qenë gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.
Emri i Skënderbeut ka qenë burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.
Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Ai vdiq në moshën 63-vjeçare më 17 Janar 1468 në Lezhë.
Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti se për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci.