Sot ceremonia e “Topit të Artë” në Paris, a do të jetë Lionel Messi fitues për herë të 7-të?

Ceremonia e “Topit të Artë” do të kthehet sonte në mbrëmje pas një viti mungesë si pasojë e pandemisë COVID-19. Pas më shumë se një muaji garë të ethshme, sot do të mësohet fituesi i edicionit të 65-të të trofeut më prestigjioz individual për çdo futbollist.

Ceremonia e dhënies së çmimit “Topi i Artë” për vitin 2021 do të zhvillohet në kryeqytetin e Francës, Paris. Organizatorët kanë zgjedhur “Théâtre du Châtelet” (teatri “Shatele”) buzë lumit të Senës. Bëhet fjalë për një nga ndërtesat historike të Parisit, ndërtuar në vitin 1862.

Përveç “Topit të Artë”, që natyrisht është edhe çmimi më prestigjioz, do të jepet edhe trofeu “Topi i Artë” për femrat, trofeu “Kopa” për lojtarin e ri më të mirë dhe trofeu “Lev Jashin” për portierin më të mirë.

MESSI PËR TË SHTATIN – Në garë për këtë trofe prestigjioz janë plot 30 futbollistë, më të mirët në qarkullim. Gara ka qenë e fortë, por sipas të gjitha gjasave, favoriti numër një për t’u mundur është Leo Mesi. Ylli argjentinas është fituesi i fundit i këtij trofeu dhe për disa nga mediat e rëndësishme në Europë ai shihet në avantazh.

Suksesi i tij me Argjentinën në Kupën e Amerikës e bën favorit edhe pse ka nga ata që kanë fituar edhe më shumë se Leo gjatë këtij viti.

Pas gazetave spanjolle, dje ka qenë gazeta gjermane “Bild am Sonntag”, e cila ka dhënë një parashikim që e sheh Leo Mesin kandidat kryesor me 71.7 për qind mundësi suksesi. Rivali i tij është Robert Levandovski me 40.5 për qind shanse, ndërsa i treti Mohamed Salah me vetëm 2.9 për qind.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *