Sot, dita botërore e Autizmit

Sot është dita botërore e Autizmit.

Çfarë është Autizmi ?

Autizmi është çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut , pjesë e Çrregullimeve të Spektrit Autik.
Sot të paktën 1 në 88 vetë diagnostikohen me autizëm duke e bërë këtë te fundit më të shpesht se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku.
Është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vleresuar me koeficient Inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor.
Individët me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodik ose të çorganizuar.
Çrregullimet e Spektrit Autik karakterizohen nga nivele të ndryshme:
të dëmtimit të komunikimit verbal
të dëmtimit të aftësive dhe integrimit social
të sjelljeve, interesave dhe aktiviteteve stereotipike ose përsëritëse.

Shkaqet:
Shkencëtarët janë edhe sot e kësaj dite të paqartë se cili është shkaku (apo shkaqet) e Autizmit, por duket se janë të bindur që faktorë gjenetikë bashkëveprojnë me faktorë ambientalë në një marrëdhënie për të cilën ka disa hipoteza, e për të cilat po punohet me intensitet për t’i provuar.
Mjaft studime janë kryer e vazhdojnë të kryhen të cilat kanë gjetur një numër gjenesh problematike dhe disa zona të trurit që nuk funksionojnë normalisht.
Një konkluzion i rëndësishëm është tashmë i konfirmuar: nuk është nëna, apo praktikat mëmësore e prindërore shkak i autizmit.

Karakteristikat:
Fëmija me Autizëm ka përgjithësisht të dëmtuar 3 fusha të veprimtarisë së tij:
(1) marrje-dhënien sociale,
(2) komunikimin (verbal, jo-verbal) dhe
(3) llojin e aktiviteteve ku përfshihet, të cilat janë përsëritëse.
Secila prej këtyre fushave mund të jetë e dëmtuar lehtë a rëndë, duke shkaktuar paaftësira të niveleve nga më të lehtat tek më të rëndat.
Karakteristika thelbësore është dëmtimi i marrje-dhënieve sociale.
Prindërit janë të parët që vënë re se fëmija është indiferent ndaj njerëzve dhe përqendrohet në vetëm disa sjellje e aktivitete të vecuara duke i përjashtuar gjithë të tjerat.
Fëmija shpesh e shmang kontaktin me sy dhe reagon pak ose aspak ndaj ngacmimeve të ambientit duke u përqendruar për periudha mjaft të gjata kohe në veprime a veprimtari që i përsërit e i përsërit vazhdimisht.
Fëmija duket sikur ‘nuk ia ka nevojën’ përdorimit të fjalëve, fjalive a diskutimit, dhe, edhe nëse i përdor, i vë pak apo aspak për të realizuar komunikimin social. Për pasojë, e ka të vështirë të përfshihet në lojëra me fëmijët a njerëzit e tjerë sepse ato i prishin stilin ritualistik.
Fëmija me Autizëm mund të mos i shfaqë që në fillim këto simptoma, por pas një periudhe zhvillimi normal nis të bëhet indiferent e i larguar nga ambientet apo veprimtaritë sociale.
Per shkaqe të paqarta fëmijët me autizëm shfaqin epilepsi në 20-30 përqind të rasteve, sidomos kur mbërrijnë në moshë madhore.

Diagnostikimi:
Në shumicën e rasteve simptomat e Autizmit janë të matshme me disa instrumenta apo teste vlerësimi që në moshën 18 muajshe.
Prindër të kujdeshëm apo specialistë të mirëformuar dijne t’i identifikojnë shenjat e para edhe më herët.
Si rregull, një diagnozë e konfirmuar e Autizmit mund të vendoset rreth moshës 2 vjeç, pavarësisht se në praktikë është rreth dy vjeç e gjysëm tre, pikërisht atëherë kur problemet me të folurin janë bërë më të dukshme.
Rreth 20% e fëmijëve me Autizëm zhvillohen normalisht deri në një fare periudhe dhe pastaj duket sikur u ngec zhvillimi apo bëjnë regres.

Trajtimi:
Autizmi mbetet ende një çrregullim i trajtueshëm.
Disa modele terapish bëjnë sot të mundur të kontrollojnë e modifikojnë simptoma specifike duke sjellë përmirësim të dukshëm e të qëndrueshëm.
Një plan i mirë trajtimi vë në levizje një grup specialistësh që koordinojnë punën për të modifikuar simptomat bazë: dëmtimin e marrje-dhënieve sociale, komunikimin (verbal e jo-verbal) dhe veprimet a sjelljet përsëritëse e obsesive.
Sa më e herët ndërhyrja, aq më të mira duket të jenë rezultatet.
Modelet terapeutike janë të shumëllojshme, ndonjëherë të ndihmuara edhe nga barna që i përshkruajnë mjekët, por ato më të suksesshmet janë kur familja përfshihet në mënyrë thelbësore.
Fëmija dhe prindërit kanë nevojë për mbështetje, ngrohtësi e dije, sepse bëhet fjalë për një rrugë të gjatë e të mundimshme .

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *