Sot fillon zyrtarisht ‘lufta’ mes PD dhe PS! Basha mbledh delegatët, Berisha referendum

Delegatët e Partisë Demokratike sot do të bëhen bashkë në Pallatin e Kongreseve në orën 11:00 nën sloganin ‘Të zgjedhim të ardhmen’, ku do të zhvillohet një sfidë e hapur kundër Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Mbledhja e Kuvendit të Bashës do të zhvillohet te Pallati i Kongreseve, i cili mban rreth 3 mijë ulëse. Por bëhet me dije nga Partia Demokratike që numri I delegatëve të jetë aq i lartë sa janë  vendosur edhe karrige në holl, ku janë vendosur ekrane dhe bokse të mëdha.

Kuvendi i Bashës sot pritet të votojë ndryshime statusore, ndërsa po ashtu do të miratohet edhe propozimi i nënkryetarit Enkelejd Alibeaj, që në strukturat e kësaj partie të mos ketë individë të shpallur ‘non grata’. Në rendin e ditës, pritet që pika të parë të flitet për situatën politike si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD-së. Pika e dytë me aksionin politik të PD-së dhe pika e tretë me miratimin e programit për ta përgatitur strukturën e partisë në zgjedhje.

Rendi i ditës për Kuvendin Kombëtar të PD

  1. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
  2. II. Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.

III. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

Mes disa pikave të draft vendimit për çështjen e organizimit dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor ka edhe një pikë tjetër me rëndësi, që synon disiplinimin e strukturave. “Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.”– thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kryetari i PD.

Kryesia e Partisë Demokratike vendosi ditën e djeshme që të zëvendësojë 11 kryetarët e degëve që janë bashkuar me Sali Berishën. PD-ja vendosi në drejtimin politik të degëve ku janë shkarkuar kryetarët, anëtarë të kryesisë qendrore, anëtarë të Këshillit Kombëtar apo anëtarë të kryesive të degëve. Degët e Tiranës do të kenë si drejtues politik nënkryetarët e PDSH-së. Vendimi i selisë blu vjen pasi atij të kryesisë që pak ditë më parë shkarkoi kryetarët e 12 degëve: Shijak, Fushë-Krujë, Tirana 1, Tirana 3, Tirana 9, Tirana 10, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Kuçovë, Vlorë dhe Gjirokastër. Në takimin e djeshëm u vendos që t’i propozohet këtij Kuvendi shkarkimi nga strukturat i personave të prekur nga ligji i dekriminalizimit ose që rezultojnë “non-grata” nga strukturat qendrore të Partisë.

Kuvendi Kombëtar i PD vjen vetëm një javë pas atij të Berishës, ku u votua për shkarkimin e Bashës si dhe gjithashtu u ndryshua statuti i PD-së. Asnjë vendim i nxjerrë nga Kuvendi i 11 dhjetorit nuk është njohur nga Basha, ndërsa çështja ka përfunduar në Gjykatë.

Por si ka përfunduar çështja deri në këtë pikë?

Historia fillon në 9 shtator kur Lulzim Basha pezulloi Sali Berishën, tashmë “non grata” nga Amerika nga grupi parlamentar. Pas vendimit të Bashës, Berisha iu rikthye aktivitetit të tij politik, duke nisur takimet me bazën që i quajti “Foltore”. Më 11 dhjetor, Kuvendi i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha votoi me 4446 fleta pro shkarkimit të Bashës. Gjithashtu u ngrit edhe një grup Komisioni i Përkohshëm me 29 anëtarët për të nisur të gjitha procedurat e nevojshme.

Pikërisht ky Komision pritet ta marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2020 kur do të thirret një Kuvend i ri për të zgjedhur kryedemokratin e ri dhe funksionarët e tjerë. Por Basha nuk e njeh vendimin, pasi përjashtoi nga Këshilli Kombëtar i PD-së, të gjithë mbështetësit e Berishës, duke i zëvendësuar të gjithë anëtarët e Kryesisë. Por kundërpërgjigja e vendimit të Bashës, erdhi me hyrjen në PD të Berishës dhe mbështetësve të tij. Lufta mes palëve ka nisur, por nuk dihet përfundimi…

Referendumi i Berishës:

Nga ana tjetër kujtojmë se po ditën e sotme ish-kryeministri  Sali Berisha do të zhvillojë referendumin për të ratifikuar shkarkimin e Bashës.

Për drejtimin e referendumit është ngritur edhe një komision zgjedhor i kryesuar nga Albana Vokshi, me anëtarë Ervin Minarollin, Eno Bozdon, Edit Harxhin dhe Keltis Krujën. Ky referendum zhvillohet për të ratifikuar vendimin që mori Kuvendi i thirrur nga Berisha më 11 dhjetor.

Mësohet se Berisha do t’i drejtohet qendrës së votimit rreth orës 10:00, në degën e nr.2 të PD. Qendrat e votimit në të gjithë vendin do të hapen në orën 08:00 dhe do të mbyllen në 17:00.

QYTETET DHE QENDRAT E VOTIMIT:

Në Durrës janë 2700 anëtarët e kësaj partie janë ftuar në Pallatin e Kulturës të shprehin me votë vullnetin e tyre. Në njësitë administrative të Sukthit, Manzës dhe Ishmit, krahas qendrës së votimit të Pallati i Kulturës, një qendër tjetër do të jetë në një subjekt privat pranë bashkisë Sukth.

Dega Krujë, e cila ka rreth 700 anëtarë, do të votojnë në dy qendra votimi, një në Thumanë dhe një në Krujë. Në Kruje e Thumanë votohet në lokale, ambiente të marra me qira. Në Fushë-Krujë, votimi pritet të zhvillohet në një pikë të vetme, te qendra shëndetësore, ku është dhe zyra e partisë.

Në bashkinë e Korçës ka një qendër votimi, që do të jetë te ish-kinema Millemium. Edhe në Pogradec do të jetë po një qendër votimi, te kinemaja e qytetit. Në Korçë janë 3500 anëtarë, në Pustec 3600. ndërsa në Pogradec janë 900 anëtarë.

Në Gjirokastër janë gjithsej 1100 anëtarë të PD me të drejtë vote, ndërsa janë ngritur 4 qendra votimi pë të votuar për shkarkimin e Bashës. Në Gjirokastër qendra e votimit do të jetë në Pallatin e Sportit, në Lazarat do të jetë në një lokal në qendër të fshatit, në Libohovë në një lokal në qendër të qytetit dhe në Urën e Kardhiqit do të votohet te ish-zyra elektorale e PD.

Në Vlorë janë rreth 1400 anëtarë të PD-së, ku qendra e votimit do të jetë pranë selisë së PD në qytetin bregdetar. Ndërkohë nga një qendër votimi do të ketë edhe në Selenice e në Himarë. Sa i përket pjesëmarrjes, kryetari i PD Selenicë, Shezai Balilaj u shpreh se do të marrë pjesë nesër në Kuvendin zyrtar të PD në Tiranë.

Në Elbasan, ku është thënë se votimi do të kryhet brenda ambienteve të degës së PD në këtë qytet.

Në Shkodër janë 9 qendra votimi në ambiente private të marra me qira (Stadiumi, sheshi Isa Boletini, Velipoje, Dajç, Bërdicë, Postribë, ana e malit, rrethina etj.) Janë 600 mijë anëtarë dhe numërim do të bëhet në qendrat ku edhe do të votohet

Në Lezhë janë rreth 2500 anëtarë votimi do të bëhet në ambientet e pallatit të kulturës ‘Dedë Ndue Lazi’. Në Kurbin janë 1200 anëtare dhe votimi do të bëhet në zyrën e Partisë Demokratike. Në Mirditë janë 800 anëtarë dhe votimit do bëhet në një ambient privat përballë katedrales

Në Tiranë anëtarët e Partisë Demokratike do të votojnë disa nëpër zyrat e degëve dhe disa nëpër lokale. Kështu në degën nr. 1 në Tiranë do të votojnë në zyrën e degës. Në degën nr.2 në Tiranë do të votohet në lokalin ‘Bar Amerika pranë Ambasadës Amerikane.

Në degën nr. 3 në Tiranë do të votohet në zyrën e degës, në Xhamllik. Në degën nr.4 do të votohet në lokalin Pëllumbat e Paqes. Në degën nr.5 anëtarët e PD-së do të votojnë pranë zyrave Aleat Komp KIKA2. Në degën e PD-së, nr. 6 do të votohet pranë lokalit ‘Kombi Art’ rruga Lambi Bonata kryqëzimi i rrugës Qelqit.

Në degën nr. 7 do të votohet në zyrën e degës. Në degën nr.8 do të votohet 100m mbi gjimnazin Partizani. Në degën nr.9 do të votohet në zyrën e degës tek Treni. Në degën nr.10 do të votohet në zyrën e dëgës. Në degën nr.11 në Tiranë do të votohet në një ambient afër AMC.

Në degën nr.12 do të votohet pranë lokalit Elze Bathirja, në Farkë e Vogël. Në degën nr.13 do të votohet në Yrshek, përballë Uzllovës. Në degën nr.14 do të votohet në rrugën nacionale në Dajt.

Në degën nr.15 do të votohet në lokalin ‘Besnik Kodra’ Pez Helms. Në degën nr.16 në Tiraën do të votohet në zyrën e PD-së. Në Vorë do të votohet në zyrën e PD-së. Në Kamëz do të votohet në dy qendra votimi, në zyrën e degës në bulevardin Blu në Kamëz dhe në zyrën e degës në bulevardin Blu në Bathore. Në Paskuqan do të votohet në zyrën e degës.

 /Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *