Sot Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi, reagon Trump: Të mos braktiset marrëveshja e Washingtonit! Ishte historike

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka komentuar vizitën e fundit të ish të dërguarit të tij, Richard Grenell në Kosovë.

Në këtë drejtim, ish-presidenti Trump ka bërë thirrje që marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga administrata e tij nuk duhet të braktisen, sepse siç ka thënë ai, janë historike dhe janë në pyetje shumë jetë njerëzish.

““Popujt e mëdhenj të Serbisë dhe Kosovës kanë kapërcyer pengesa të jashtëzakonshme në ndjekjen e tyre për normalizim ekonomik. Marrëveshjet që administrata ime i ndërmjetësoi janë historike dhe nuk duhen braktisur, janë në pyetje shumë jetë”, ka thënë në fillim të deklaratës Trump.

Siç ka shtuar tutje, ai, rajoni është gjithashtu i rëndësishëm dhe njerëzit kanë qenë në pritje për një kohë të gjatë që kjo të ndodhë.

“Rajoni është tepër i rëndësishëm dhe popujt kanë pritur kohë shumë të gjatë që krejt kjo punë të hidhet mënjanë. Sot, i dërguari im, ambasadori Richard Grenell, e vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për ta nxjerrë në pah këtë marrëveshje të rëndësishme. Njëjtë sikurse kemi dëshmuar në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet Abraham, paqja dhe normalizimi ekonomik janë të mundur, por nevojitet përpjekje e sinqertë dhe udhëheqje e palëkundur. Paqja është e mundur, mos u dorëzoni – në pyetje është prosperiteti afatgjatë i këtyre dy kombeve!” thuhet në komunikatën e Trumpit, të lëshuar nga zëdhënësi i tij.

Më 4 shtator 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në praninë e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, firmosën marrëveshjen e Washingtonit, që është kritikuar nga kryeministri aktual Albin Kurti.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *