Veri i Kosovës sot voton për zgjedhjet e parakohshme lokale. Ashtu siç e përcakton Kodi Zgjedhor, 19 qendrat e votimit u hapën në orën 07:00, ndërkohë që qytetarët do të votojnë për të zgjedhur drejtuesit lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore.
Të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej tyre të vendosura në kontejnerë. Numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë, sipas KQZ-së, është 45.095.
Pritjet janë që pjesëmarrja të jetë e ulët, meqë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila vetë nuk do të marrë pjesë në zgjedhje – ka bërë thirrje për bojkotim të procesit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë në zgjedhjet e 23 prillit. Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.
“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.
Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar. Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës – Lista Serbe – nuk merr pjesë në zgjedhje, dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.