50 mijë doza të vaksinës Pfizer do mbërrijnë sot në aeroportin ‘Nënë Tereza’, duke e çuar kështu në mbi 1.700.000 doza totalin e vaksinave të ardhura në vend. Lajmin e dha ministrja Ogerta Manastirliu.
“Do të kemi mbi 50 mijë vaksina Pfizer që vinë sot dhe menjëherë do të shpërndahen në qendrat shëndetësore, në pikat tona të vaksinimit të përqendruar por gjithashtu ne po vijojmë punën me njësitë lëvizëse për të vaksinuar derë më derë dhe për të vaksinuar në familje, për të vaksinuar qytetarët të cilët e kanë të pamundur që të lëvizin”, tha Manastirliu.
Gushti është muaji i hapur i vaksinimit, ku çdo qytetar i grupmoshës mbi 18 vjeç mund të marrë dozën e vaksinës anti-COVID. Manastriliu u bëri apel të rinjve të moshës mbi 18 vjeç që të vaksinohen përpara fillimit të vitit të ri akademik me qëllim që të kufizohet përhapja e variantit DELTA.
“Ne jemi të angazhuar që të vijojmë gjatë muajit gusht me vaksinimin e grupmoshës +18 vjeç, duke ndalur fokusin tek të gjithë ata të cilët janë më të rrezikuar +50 vjeç, por gjithashtu duke synuar edhe studentët, ata të cilët duhet të jenë në auditore në vitin e ri, të jenë sa më të mbrojtur, për të bërë të mundur kufizimin e përhapjes së variantit Delta dhe gjithashtu për të ulur dhe për të reduktuar rastet e rënda dhe fatalitetet”, u shpreh Manastirliu.
Në vendin tonë deri tani kanë kryer 1.203.087 vaksinime anti-COVID, ndërsa mbi 530.000 qytetarë kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.
/Priza.al/