Policia ka nisur me zbatimin e planit të masave, pasi këtë të hënë do të mbahet në Prishtinë mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Burime për median bëjnë me dije se do të ketë edhe ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut.
Njoftimi i Policisë:
Me datën 20 qershor 2022, në Republikën e Kosovës, në Prishtinë do të mbahet takimi i radhës mes dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Policia e Kosovës, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së zhvillimit të mbledhjes dhe gjatë lëvizjes së kryeministrit dhe ministrave të Qeverise së Shqipërisë. Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet.
Priza.al ka siguruar edhe axhendën në lidhje me mbledhjen e këtyre dy qeverive:
- Ceremonia zyrtare e pritjes;
- 11.15 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri;
- Fjalë e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës;
- Fjalë e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë;
- Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim;
- 12.20 – Prezantimi nga z. Eric SMIT, Drejtor i “Royal Haskoning DHV”;
- Infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i thatë në Kosovë;
- 12.30 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare;
- 12.45 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave;
- 18.00 – Promovimi i librit “Përplasja e Madhe” të Enver Hoxhaj.