Sot Shqipëria luan miqësoren e luksit ndaj Italisë në ”Air Albania”, një ndeshje mes dy vendeve të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën. Një lidhje që shihet edhe në sferën futbollistike, ku shumë prej lojtarëve të Shqipërisë luajnë në kampionatin italian e së fundmi, edhe lojtarët shqiptarë kanë filluar të lënë shenjë në përfaqësueset e moshave të Italisë.
Pikërisht një shqiptar, fantazisti i Juventusit, Luis Hasa, po kthehet në një emër shumë të njohur në radhët e përfaqësueseve italiane. Pasi ka shkëlqyer me ekipin U-18, ai tashmë është bërë pjesë e U-19 të Italisë dhe sot i ka dhënë fitoren me dy golat e tij në miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Hungarisë.
Një penallti në minutën e 43 dhe pastaj një gol i dytë në minutën e 68, bënë që Italia të shkonte e qetë drejt fitores që e vulosi më pas Vinjato me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Luis Hasa ka qenë pjesë e grumbullimeve të kombëtareve të moshave të Shqipërisë para se t’u bashkohej përfaqësueseve italiane./panoramasport