Sot nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet vendore 2023

1 muaj para zgjedhjeve vendore 2023, sot më 14 prill nis zyrtarisht fushata zgjedhore. Një ditë më parë Organizata më e rëndësishme ndërkombëtare për monitorimin e zgjedhjeve, OSBE-ODIHR dha mesazhin e qartë që fushata duhet të jetë paqësore dhe e hapur, ndërsa konkurrimi politik të jetë sa më konstruktiv dhe në zbatim të ligjit shqiptar e standardeve ndërkombëtare.

Edhe kreu i shtetit, Bajram Begaj dha mesazhe të forta dhe porosi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke i kërkuar institucioneve përgjegjëse që të monitorojnë fushatën elektorale me kujdes dhe të dënojnë çdo fenomen që mund të cenojë procesin zgjedhor, mes tyre edhe shit blerjen e votës.

Ndonëse partitë politike kanë nisur takimet e tyre me mbështetësit, tashmë kandidatët për kryetarë bashkie do të kenë edhe numrat që do të përmendin në daljet publike për të bërë fushatë. Një ditë më parë, KQZ hodhi shortin dhe partitë mësuan renditjen e tyre në fletën e votimit dhe numrin e kandidatëve për kryebashkiakë me të cilin do të bëjnë fushatë.

Në bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj do të mbajë numrin 4, Pas tij, i pesti, në fletën e votimit renditet Belind Këlliçi i Koalicionit Berisha-Meta ndërsa i 6-ti Roland Bejko i PD zyrtare. Numri 1 do të mbahet nga kandidati i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri. I dyti në fletën e votimit është kandidati komunist Marko Dajti, që u fut në zgjedhje me firmën e Flamur Nokës, ndërsa e 3-ta Lajla Përnaska nga PDIU-ja.

Në listën për këshillat bashkiak, Shorti renditi të parin Koalicionin Meta-Berisha, PS-ja radhitet e dyta, ndërsa mes 40 partish në këtë listë Partia Demokratike zyrtare e Enkeleid Alibeaj do të mbajë numrin 9, i njëjti numër që e identifikoi atë edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të dy viteve më parë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *