Shqipëria hedh sot një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian me mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në Luksemburg. Takimi, që do të zhvillohet në nivel ministror, do të shërbejë për hapjen e negociatave për Klasterin 1, i cili përfshin fusha të rëndësishme si drejtësia, gjyqësori dhe reforma e administratës publike.
Ky grup-kapitull është thelbësor, pasi përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave. Disa nga kapitujt negociues përfshijnë funksionimin e institucioneve demokratike, gjyqësorin, të drejtat themelore dhe prokurimin publik.
Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE u mbajt më 19 korrik 2022, duke shënuar një moment historik për vendin, pas 8 vitesh që nga marrja e statusit të vendit kandidat. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi rëndësinë e këtij hapi në kontekstin e reformave dhe angazhimeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE.