Prokuroria e Posaçme u ka kërkuar partnerëve ndihmë nëpërmjet letërporosive për të kryer verifikime për çështje hetimore të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me tendera në vendin tonë.
Në raportin vjetor, SPAK thotë se ka kërkuar ndihmë nga partnerët gjatë 2022 në 62 raste dhe përveç çështjeve të korrupsionit, është kërkuar ndihmë edhe për hetimet për vrasje, mashtrim dhe disa vepra te tjera.
Pjesa më e madhe e letërporosive të dërguara nga SPAK janë drejt Italisë, Kosovës, SHBA-së, por nuk mungojnë as kërkesat e bëra vendeve si Qipro, apo San Marino për verifikime në kuadër të hetimeve shqiptare.
2 vitet e fundit, Belgjika dhe Holanda janë dy shtetet të cilat vënë më shpesh në lëvizje prokurorinë e Posaçme, duke kërkuar me anë të letërporosive hetime për anëtarë të grupeve kriminale të përfshirë në trafik droge që veprojnë në dy shtete, si dhe hetime për gjurmimin e parave të pista.
Në raportin vjetor, SPAK bën të ditur se gjatë 2022 ka pritur nga partnerët 54 kërkesa për ndihmë juridike, 19 nga Holanda dhe Belgjika, më pas vjen Gjermania, Kosova, Italia dhe shtete të tjera. Objekt të letërporosive të huaja janë gjithashtu edhe veprat penale të mashtrimi, mashtrimit kompjuterik që lidhen me Call Centerat, si dhe vjedhje dhe falsifikimi i dokumenteve apo korrupsion.