Paraditen e sotme është arrestuar nga policia juristi i Kadastrës së Durrësit, Mikel Zaho. Ai është vënë në pranga pas një hetimi për një parcelë 2000 metra katrore në Plepa. Policia ka mësyrë në zyrat e Kadastrës, aty ku ka bërë të mundur arrestimin e tij. Zaho është arrestuar si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Hetimi është kryer nga prokurori Madrid Kullolli, ndërkohë që priten të tjera arrestime nga policia për persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
Arrestimi në 2019
Zaho është arrestuar dhe më parë në tetor të 2019 për dosjen e Kepit të Rodonit. Edhe atëherë ai ka qenë një nga të arrestuarit për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi në bashkëpunim me të arrestuarit e tjerë, kishte tjetërsuar sipërfaqe toke prej 68 000 m2, nga tokë shtetërore pa frut në tokë are dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit. Këtë aktivitet e kanë realizuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, si të akteve të marrjes së tokës në pronësi, kartelave të pasurive në Regjistrat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës. Këtë sipërfaqe toke ua kanë shpërndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit.
Prokuroria e Durrësit i nisi hetimet në mars 2019, pas një kallëzimi të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, e cila gjatë një kontrolli të zhvilluar në shtator dhe tetor 2018 kishte gjetur një sërë praktikash regjistrimi në kundërshtim me ligjin. Gjykata e Apelit vendosi arrest me burg për të, dhe nuk ka informacion mbi lirimin e tij dhe punësimin sërisht në hipotekën e Durrësit
/Priza.al/