Asnjë fakt, asnjë provë, asnjë lidhje, transaksion, komunikim, asnjë përfitim të padrejtë, asnjë pasuri të paligjshme. Ky është rezultati i hetimit dyvjeçar i SPAK për lidhje të mundshme të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, me çështjet e inceneratorit të Tiranës dhe 5D. Tre prokurorë të SPAK-ut, Klodian Braho për çështjen 5D, Dritan Premçi për inceneratorin e Tiranës dhe Olsi Dado për pasurinë, kanë kaluar në skaner kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Rezultati i hetimeve rrëzon pretendimet dhe akuzat e artikuluara nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, nga Sali Berisha, nongrata nga Perëndimi dhe nën akuzë nga SPAK për korrupsion, të mutacioneve mediatike që kanë kërkuar leje ndërtimi si dhe akuzat e analistëve si soji i Baton Haxhiut, i cili i ofronte Veliajt sondazhe të fabrikuara në kërmbim të favoreve financiare, pazare të cilat janë refuzuar nga Veliaj.
Në këto rrethana, ndoshta i kompleksuar nga fushata e Sali Berishës, i cili e konsideron SPAK-un organizatë kriminale të Soros dhe Edi Ramës, SPAK po i zgjeron hetimet tek familjarët e Erion Veliajt, te bashkëshortja që merret me piktura dhe tek vëllai që jeton në Vjenë, i cili punon kryesisht me kompani jashtë vendit. Në kuadër të këtij yryshi, hetues të BKH kanë trokitur dhe hyrë në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, tre ditë më parë, në mënyrë të paligjshme, pa një urdhër gjykate. Nuk kanë ushtruar kontroll, por kanë sekustruar një telefon të zonjës Ajola Xoxa, gjithashtu në mënyrë të paligjshme, pa një urdhër gjykate. Vendimi i firmosur nga gjyqtarja e GJKKO, Atalanta Zeqiraj, nuk parashikonte as hyrjen në banesë, as kontroll banese dhe as sekustrim telefoni. Hetues të BKH kanë kryer veprime arbitrare dhe të pabazuara në një vendim gjykate, veprime të cilat pritet të evidentohen dhe rrëzohen në vijim nga gjykata.
Megjithatë, teksa Berisha vijon retorikën agresive kundër SPAK, ndoshta hetimet do të shtrihen deri tek shokët e gjimnazit dhe të lagjes së Veliajt. Rezultati do të jetë po i njëjtë. Nuk kanë për të gjetur vila në Valamar apo Palasë. Nuk kanë për të gjetur transaksione drejt Gjermanisë, as apartamente në kryeqytetet e Evropës. Nuk kanë për të gjetur qindra mijëra euro për lobime dhe as pazare me pasuritë dhe paratë publike.
Por, nga ana tjetër, hetimet deri në përndjeke familjare për Erion Veliajn po mbajnë me gairet opozitën nongrata, Belo Ezmerin që humbi vitin e kaluar me 60 mijë vota, mutacione mediatike dhe banaçet televizive me analistë që dalin në dosjes e SPAK si pronarë të vilave të Ilir Metës. Po i mbajnë me gairet deri në 11 maj 2025, kur Sali Berisha të marrë më pak se 25 % të votave. Erion Veliaj, ashtu si Belinda Balluku dhe Taulant Balla, por edhe Blendi Klosi, Blendi Gonxhja, Elisa Spiropali etj., janë një makineri votash, një makineri e provuar në disa palë zgjedhje.