SPAK ka bërë bilancin e punëve për muajin Mars. Nga të dhënat e bërë publike nga Prokuroria e Posaçme, në muajin Mars janë paraqitur 19 kallëzime penale, nga të cilat për 7 prej tyre është vendosur mosfillim i hetimeve.
Janë regjistruar 18 procedime penale, nga të cilët: 7 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 11 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, janë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 20 personave nën hetim.
Në kuadër të ligjit anti-mafia është dhënë nga gjykata 1(një) vendim sekuestrimi sipas të cilit janë sekuestruar:
-8 pasuri të paluajtshme.
-2 llogari bankare me vlerë rreth 259.000 euro.
Në kuadër të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, është dhënë nga gjykata 1 vendim sekuestroje preventive me 2 pasuri të paluajtshme.
Janë kthyer 45 përgjigje për shkresa të ardhura nga institucione të ndryshme lidhur me statusin e shtetasve dhe zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me procedimet penale ndaj tyre.
Janë ekzekutuar gjithsej 5 vendime penale të formës së prerë; nga këto, të gjitha vendimet kanë marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Apelit , ku 3 vendime nga Gjykata e Posaçme e Apelit janë ndryshuar me shënimet përkatëse dhe 2 janë lënë në fuqi.
Janë nxjerrë gjithsej 48 urdhra ekzekutimi për 48 persona të dënuar.
Për 2 persona Gjykata ka vendosur burgim të përjetshëm dhe për 1 person ka vendosur pafajësinë.
Për 20 të dënuar, veç masave të dhëna me dënimet kryesore, është urdhëruar sipas vendimeve të gjykatës dhe sipas nenit 35 të Kodit Penal heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike.
Për 3 vendime penale të formës së prerë janë nxjerrë urdhëra ekzekutimi për disponimin e provave materiale ku është bërë konfiskimi apo kthimi i tyre sipas vendimmarrjes se gjykatës.
Janë zbardhur dhe miratuar nga prokurorët e posaçëm 20 vendime për miratim takimesh të të paraburgosurve me familjarët e tyre dhe 2 vendime per lejimin e kryerjes së bisedave telefonike.
Janë nxjerrë vendime nga prokurorët për përfundimin e dënimit alternativ dhe u është dërguar Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës ku kanë vendbanimin e tyre, për 2 shtetas.
Janë vënë në ekzekutim 6 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja të drejtësisë, si dhe janë dërguar 16 letërporosi për ekzekutim pranë autoriteteve të huaja.
Është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar e 1 shtetasi shqiptar.
Përsa i përket skuadrave të përbashkëta hetimore në kuadër të procedimeve penale në hetim janë mbajtur 6 takime koordinuese me autoritetet e huaja.