SPAK dërgon për gjykim ish-gjyqtarët Fatos Lulo dhe Bashkim Dedja, sekuestron pasuritë e tyre!

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK ka dërguar të martën për gjykim çështjen e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe gjyqtarit të Kushtetuses Fatos Lulo. SPAK e akuzoi Dedjen për fshehje të pasurisë, ndërsa Lulon e akuzon për deklarim të rremë të pasurisë. Gjithashtu, SPAK njofton edhe sekuestrimin e disa prej pasurive të ish-gjyqtarëve.

Po më 30 korrik, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Bashkim Dedja, me detyrë ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë dhe të fshehjes.

Pse u shkarkua Bashkim Dedja:

Në dhjetor, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. KPA arsyetoi se gjyqtari Dedja ka pasuri më të madhe nga sa mund të justifikojë dhe nuk ka paraqitur burime të ligjshme financiare për to.

Me këtë vendim, KPA hodhi poshtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Dedes.

Kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u konfirmua në detyrë në qershor 2018 nga KPK-ja, megjithëse gjatë hetimit administrative atij ju gjetën një sërë shkeljesh në deklarimin e pasurisë.

Menjëherë pas konfirmimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e kundërshtoi vendimin e KPK-së për rikonfirmimin në detyrë të gjyqtarit Dedja duke deklaruar se KPK nuk ka përdorur të njëjtat standarde si për gjyqtarët e tjerë. ONM i rekomandoi Komisionerit Publik që ta ankimojë vendimin në KPA.

Në korrik, Komisioneri Publik Darjel Sina, me rekomandimin e ONM-së, apeloi vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të Bashkim Dedes.

Pse u shkarkua Fatos Lulo:

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi shkarkoi nga detyra gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo. Gjyqtari Lulo akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë. Ai nuk vertetoi dot burimin e pasurive të tij.

Relatorja e çështjes Etleda Çiftja, gjatë seancës së degjesave publike në KPK deklaroi se gjyqtari Fatos Lulo “ka mungesë burimesh financiare dhe ka bërë deklarim të rremë” për një numër pasurish të deklaruara.

Nisur nga raporti i ILDKPKI-së, gjyqtari akuzohet për mospagim e taksave për të ardhurat e krijuara nga viti 1994 deri më 1997.

Gjithashtu, i dyshimtë nga ana e KPK-së vlerësohet edhe deklarimi se gjykatësi ka marrë dy herë shuma të mëdha parash nga motra e tij, një herë në vitin 1997, 100 mijë euro dhuratë dhe në vitin 2000, 480 mijë euro borxh (të cilat i ka kthyer mbrapsht, pasi nuk emigroi në Kanada).

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *