Një megaoperacion antidrogë është ndërmarrë në Shqipëri, Itali, Spanjë dhe Mal të Zi, ku janë lëshuar 38 urdhër arreste dhe janë sekuestruar disa miliona euro pasuri. Operacioni i gjerë po zhvillohet kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave po zhvillohet ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe Drejtorisë së Hetimit Antimafia Italiane.
Aksioni është ndërmarrë nga antimafia italiane në bashkëpunim me SPAK dhe Policinë e Shtetit shqiptar, ndërkohë që detajet e aksionit do të bëhen të ditura në një konferencë që do të mbahet në orën 10:30.
Deri tani, thuhet se urdhër arrestet janë lëshuar dhe në qytetin e Vlorës.
Bazat e grupit kriminal të goditur në Shqipëri, janë në qytetet si: Tepelenë, Vlorë, Kavajë, Lazarat dhe Tiranë.
Në ndihmë të hetuesve kanë qenë edhe deklaratat e 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Pjesë e hetimit janë dhe zyrtarë të lartë të cilët kanë marrë pjesë në trafikun e drogës.
Operacioni italo-shqiptar është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Antimafias Italiane të Barit. Gjatë këtij operacioni u arrestuan 37 persona, u sekuestruan 40 milionë euro drogë, 4 milion euro asete si prona, automjete, para cash. Ndërkohë gjatë operacionit ‘Shefi’ në 2018 u arrestuan 43 persona, mes tyre 21 shqiptarë dhe në total u sekuestrua rreth 2.5 tonë drogë.
/Priza.al/