SPAK i “del krah” Metës: Dumani s’ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin

Prokuroria e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar këtë të premte pas deklaratës së gazetarit, Artan Hoxha i cili pohonte se presidenti Ilir Meta ka paguar vrasjen e vëllait të një ish-deputeti.

Në një njoftim zyrtar, SPAK njofton se Dumani nuk ka ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Sakaq, u ka bërë thirrje mediave që të jenë më të kujdesshme si dhe të marrin në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje pasi janë ende në fazën e hetimit paraprak.

Reagimi i Plotë:

Në vijim të interesimit të shtuar të mediave, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se:

Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit).

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *