Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka shtyrë vendimin për ish-drejtorin e RTSH Thoma Gëllçi.
Mësohet se shkak për shtyrjen e vendimit janë bërë konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes.
Sakaq, gjykata ka vendosur që vendimi të jepet më datë 2 qershor, në orën 13:30.
Për ish-drejtorin e RTSH, SPAK ka kërkuar dënim me 1.8 vite burg, dërsa për dy të pandehurit e tjerë 1 vit burg.
Akuzat që rëndojnë ndaj Thoma Gëllçit?
Thoma Gëllçi dhe tre zyrtarët e tjerë u arrestuan për abuzimin e një procedure prokurimi për TV Agro, me vlerë 86 milionë lekë. Ish-drejtori i RTSH u arrestua disa muaj më parë, pasi bashkë me tre punonjës akuzohen për pabarazi në tendera dhe abuzim me detyrën në kohë kur Gëllçi ishte në detyrë.
Shkelja bën fjalë për një tender të vitit 2018 me fond prej 86 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro, ku tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Alban Malaveci, Ervin Muraj dhe Julian Tapia akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë.
Nga hetimet gjithashtu ka rezultuar se Thoma Gëllçi si ish-drejtori i Përgjithshëm i Radion Televizionit Shqiptar ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi dhe akuzohet për shpërdorim detyre.