SPAK kërkoi kthimin në burg të Edvin Priftit, Gjykata e Lartë lë të lirë mjekun

Gjykata e Lartë nuk ka pranuar ankimin e SPAK për të rikthyer në qeli mjekun Edvin Prifti. Po ashtu, ditën e sotme është rrëzuar dhe kërkesa e Priftit për shuarjen e akuzës dhe heqjen e masës detyrim paraqitje.

Seanca nisi ditën e sotme në orën 12:00 dhe kërkesa u shqyrtua nga trupa e përbërë nga Sandër Simoni, Klodian Kurushi dhe Albana Boksi.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) iu drejtua Gjykatës së Lartë pas ndryshimit të masës së sigurisë për shefin e Kardiologjisë Edvin Prifti, të cilin Apeli e la të lirë dhe ka kërkuar kthimin e tij në burg. Kardio-kirurgu Edvin Prifti u la i lirë nga qelia pak ditë pas arrestimit të tij të bujshëm. Ai është rikthyer edhe në detyrë si pedagog, ndërsa mjekësia do të duhet të presë pak për të. SPAK zgjati me gjashtë muaj hetimet për mjekun Prifti, pasi siç thuhej në njoftimin zyrtar, hetimet janë shtrirë edhe në drejtim të disa procedurave të prokurimit të realizuara nga QSUT.

Kardiokirurgu është nën hetim prej muajsh, për korrupsion e pastrim parash, pasi ra në ‘rrjetën’ e përgjimeve teksa prokuroria hetonte rastet e korrupsionit në gjykatën e Krujës, operacion gjatë të cilit u vu në pranga gjyqtarja Enkeleida Hoxha. Sekretarja e këtij institucioni fliste për ryshfet për operacionin e nënës së saj dhe për para që do t’i jepte Priftit. Për këtë arsye, mjeku u pezullua fillimisht nga detyra dhe më pas u vu në pranga.

Gjetja e më shumë se gjysmë milioni euro në shtëpi e zyrë, kqyrja e telefonit dhe e laptopit i bëri prokurorët e SPAK që të zgjeronin hetimet dhe të ngrinin dyshimet për përfshirjen e mjekut në të tjera veprimtari të dyshimta. Gjatë këtyre gjashtë muajve, pritet që SPAK të thërrasë shumë persona që të dëshmojnë, mes tyre mjekë që kanë pasur kontakte me Priftin dhe jo vetëm.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *