OProkuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe i ka komunikuar akuzën zyrtare të korrupsionit pasiv Safet Gjicit, ish-kryetarit të Bashkisë së Kukësit. E njëjta vepër penale i është komunikuar edhe Alma Kaçit. Gjici ndodhet aktualisht në arrest me burg, ndërsa Kaçi në arrest shtëpie.
Gjici u arrestua disa javë më parë pas publikimit të një video erotike të tij me Alma Kaçin në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Kukësit. Më pas në video ata flasin për një projekt të trajtimit të qenve të rrugës, ku Gjici telefonon një vartësin e tij të kujdeset për letrat që do dorëzonte Kaçi. Ish-kryebashkiaku ka pranuar marrëdhënien me 40-vjeçaren, por në gjykatë tha se nuk ka pasur korrupsion.
Alma Kaçi është shprehur se e ka bërë vetë videon, pasi në takimin e parë që kishte bërë me të ai e kishte ngacmuar.