SPAK ka vendosur nën sekuestro pasuritë e turkut Ramazan Keskin në Tiranë pas hetimeve në bashkëpunim me autoritetet gjermane të drejtësisë.
Keskin rezulton i shpallur në kërkim europian për shkak se dyshohet se është kreu i një organizate kriminale që trafikonte drogë në Roterdam, Holandë dhe Gjermani dhe më pas shpërndarjen e saj në të gjithë Europën.
Sipas SPAK, grupi i Keskin përmes korrierëve ka transportuar drogë me vlerë 10 mln euro nga Gjermania në Turqi.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin pasuror nr.4 datë 27.01.2023 ndaj shtetasit R. K., i datëlindjes 01.01.1979, lindur dhe banues në Turqi.
Hetimet në kuadër të këtij procedimi janë kryer në bashkëpunim me Autoritet Gjermane të Drejtësisë. Nga aktet e administruara rezulton se me datë 02.12.2020, ndaj shtetasit turk R. K. është nxjerrë një urdhër arresti evropian, pasi ky shtetas rezulton si kreu i një organizate kriminale e cila ka si aktivitet kriminal trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi R. K. është kreu i një organizate kriminale e cila ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike të llojit ‘’Heroinë’’ dhe ‘’Kokainë’’ në Roterdam, Hollandë e në Gjermani, ku bëhej grumbullimi e përpunimi i lendës narkotike, e cila më pas shpërndahej në gjithë Evropën.
Gjithashtu shtetasi R. K. si kreu i kësaj organizate kriminale nëpërmjet korrierëve të ndryshëm ka transportuar nga Gjermania në Turqi mbi 10 (dhjetë) milion euro, të cilat janë përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi R. K. ka udhëtuar në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri dhe ka bashkëjetuar me një shtetase shqiptare. Në vijim të hetimeve të kryera është dokumentuar fakti se R. K. ka investuar para në shuma të konsiderueshme në Shqipëri.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit R. K., rezulton se ka një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i ketë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale.
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenet 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (i ndryshuar) është paraqitur kërkesë për sekuestrimin e pasurive të shtetasit R. K.
Nga ana e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.8 datë 03.02.2023, është vendosur:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sekuestrimin e pasurive të subjektit nën hetim pasuror R. K., si dhe të personave të lidhur si më poshtë:
Pasurinë me adresë, Selitë, Tiranë, me sipërfaqe 1 000 m2, e llojit “ullishte”.
Automjeti tip Audi SQ7, me targa gjermane LR-II7777, me numer shasie Nr.ËAUZZZ4M5HD052188.
Automjeti autoveturë, marka AUDI, tipi Q7, targa AA275SB, me shasi Nr.ËUAZZZ4L3BD026080, viti i prodhimit 2011.
25% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “GLOBAL LEADER IN SPORT (GLS)” shpk- Nr. NIPT L92229020F, regjistruar më datë 29.10.2019.
50% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “KESKINDAG” shpk- Nr. NIPT L71726012K, regjistruar më datë 26.05.2017.
50% të aksioneve të Operatori Ekonomik “REALIZ” shpk- Nr.NIPT L71822022A, regjistruar më datë 22.06.2017, datë themelimi 05.06.2017.
Vendimi nr.8 datë 03.02.2023, është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Verifkimet pasurore lidhur me këto subjekte vijojnë deri në dokumentimin e plotë.