Spanja nuk ndryshon qëndrimin për Kosovën, kërkon zgjidhje përmes dialogut me Serbinë

Spanja vazhdon të mos e ndryshojë pozicionin e saj sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse tha se është koha që të bëhen përpjekjet përfundimtare që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë spanjolle për Çështje të Jashtme, nëse Madridi ka ndryshuar qëndrim për Kosovën, pasi Prishtina dhe Beogradi u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve. Nga kjo ministri thanë se “çështja e territorit të Kosovës” duhet të zgjidhet përmes dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Është koha që të bëhen përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Elena Aljarilla Cortezón, këshilltare për komunikimin në Ministrinë për Çështje të Jashtme të Spanjës.

Spanja dhe katër shtete të tjera të BE-së Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia) ende nuk e njohin pavarësinë që Kosova shpalli më 2008.

Madridi zyrtar tha se ende ka punë sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Rezultati i takimit të 27 shkurtit ishte hap përpara, por ende ka punë për t’u bërë sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve bazuar në propozimin e BE-së, që është mirëpritur nga Këshilli Evropian në shkurt. Edhe pse është pozitive që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi janë pajtuar për tekstin e propozimit pa asnjë ndryshim, nuk do të ketë marrëveshje të fortë pa pasur një plan të qartë se si do të zbatohet”, u tha në përgjigjen dërguar REL-it.

Pavarësisht se autoritetet spanjolle nuk e bën të qartë nëse do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre pas arritjes së një marrëveshjeje eventuale për normalizim, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 28 shkurt deklaroi se pret që shtetet mosnjohëse evropiane ta bëjnë një gjë të tillë.

“Duhet të ketë unifikim të qëndrimit në BE edhe nga pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nëse vendet e BE-së kanë arritur të kenë qëndrim unik rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, e kanë edhe më të lehtë të pajtohen për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Serbia ka obligim që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, nuk ka më arsye as nga ndonjëra prej pesë vendeve të BE-së që të mos e mbështesin Kosovën, për shembull në anëtarësim në Këshillin e Evropës, apo në procesin e integrimit në BE”, ka thënë Bislimi.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan se nuk ka më nevojë për diskutime lidhur me propozimin evropian, që ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

BE-ja më pas tha se palët kanë shprehur gatishmërinë që të punojnë në planin për zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejtë një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në këtë takim, blloku evropian pret që liderët të diskutojnë për planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.

BE-ja dëshiron që në këtë takim palët të pajtohet për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e saj.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *