Federata për Kajakim e Kosovës përmes një komunikate në faqen zyrtare ka njoftuar se Spanja i ka mohuar të drejtën sportive për pjesëmarrje në gara me simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.
Kosova ishte përgatitur që të merrte pjesë në garën që është e listuar në kalendarin e Federatës Ndërkombëtare të Kajakimit.
Federata për Kajakim e Kosovës ka pranuar sot një email nga sekretari teknik i Federatës për Kajakim të Spanjës, Gonzalo Melero, përmes së cilës i është mohuar e drejta për paraqitje me simbolet shtetërore të Kosovës.
“Federata për Kajakim e Kosovës / Canoe Federation of Kosovo ndjehet e shqetësuar për sportistët tanë dhe njëkohësisht e diskriminuar nga ky vendim i Federatës Spanjolle për Kajakim. Garuesja jonë Blandine Xhemajlji deklaron se nuk do të regjistrohet për garim në këtë event duke u përfaqësuar me flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Kajakimit (ICF), dhe njëkohësisht është shumë e shqetësuar për gjendjen e krijuar. Ne kërkojmë nga Federata Ndërkombëtare për Kajakim (ICF) por edhe nga Unioni Europian i Kajakimit (ECA), por edhe nga institucionet vendëse e ndërkombëtare të cilat mbrojnë të drejtat e sportistëve që të mbështesin sportistët nga Kosova”, shkruante në komunikatën e Federatës për Kajakim e Kosovës.
Rikujtojmë se me rast të njëjtë u përballë edhe boksierja, Donjeta Sadiku, të cilës shteti i Indisë ia mohoi pjesëmarrjen në gara me simbolet shtetërore të Kosovës.