Një tjetër shqiptar ka rënë në prangat e policisë spanjolle pasi dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal që merret me trafikun e drogës . Mediat spanjolle raportojnë se shqiptari është kapur në një “shtëpi bari” me 637 bimë kanabis. Organizata kriminale, pjesë e së cilës dyshohet të jetë edhe shqiptari, eksportonte lëndë narkotike drejt vendeve evropiane.
Organizata kishte përgatitur infrastrukturën e nevojshme brenda shtëpisë për zhvillimin e bimëve, me një sistem kompleks vaditjeje dhe një sistem ndriçimi, ngrohje dhe ajrimi shumë të zhvilluar, me të cilin shkurtoheshin ciklet e zhvillimit të bimëve dhe gjeneroheshin deri në katër kultura të cilësisë së lartë në vit.
Krahas akuzës së trafikut të lëndëve narkotike, ai është akuzuar edhe për vjedhje të energjisë elektrike, pasi për infrastrukturën komplekse që ishte krijuar, konsumi mund t’i kalojë 20 mijë euro në muaj. Furnizimi merrej nëpërmjet lidhjeve të paligjshme në rrjetin elektrik. Hetimi është ende i hapur për identifikimin dhe arrestimin e anëtarëve të tjerë të rrjetit.