Një punonjës i shërbimit të inteligjencës gjermane është arrestuar së fundmi nga autoritetet nën akuzën se ka spiunuar në favor të Rusisë, duke i dhënë informacione të rëndësishme, në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon prej më shumë se 10 muajsh.
Shtetasi gjerman Carsten L. u arrestua gjatë një operacioni në Berlin dhe tashmë ndodhet në paraburgim ku do t’i komunikohet akuzat, mes të cilave është edhe ajo e tradhtisë.
Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, vendin e punës, por edhe pronat e një personi të afërm me të.
Nuk është ende e qartë se çfarë informacioni sekret ka ndarë i arrestuari, në një kohë kur autoritetet gjermane thonë se aktiviteti i spiunazhit rus që nga nisja e luftës është shtuar ndjeshëm.
Agjencia e Jashtme e Inteligjencës nuk do të ofrojë detaje të tjera lidhur me çështjen derisa prokurorët federalë të përfundojnë hetimin e tyre.