Një lajm i trishtë vjen për sportin dhe boksin shqiptar. Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare, një nga boksierët më të mirë shqiptarë, Ahmet Golemi.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, nëpërmjet një postimi në Facebook: “Miq dhe dashamirës! Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen se sot u nda nga jeta babi im, Ahmet Golemi”.
Ahmet Golemi është shpallur 5 herë kampion në Shqipëri, gjithashtu ai do të mbahet mend edhe si komentatori më i mirë i boksit në vend.
Golemi mbante titullin ‘Mjeshtër i Madh’, si një nga komentatorët më të mirë të boksit në vend. Ai lindi më 5 qershor të vitit 1936 në Tiranë, ku edhe jetoi, ndërsa është i njohur po ashtu edhe si shkrimtar.
Më 7 maj të vitit 1979, Golemi u dënua me 5 vite heqje lirie për agjitacion e propagandë, pasi festoi fitoren e boksierit të famshëm, Muhamed Ali.
Në fillim të viteve ‘70, regjimi komunist ndaloi boksin dhe për pasojë edhe adhurimin për legjendën amerikane të boksit.