Kostot marramendëse të ‘Air Albania’, 1 milion euro për ndërrimin e tapetit të barit

Punimet në stadiumin ‘Air Albania’ i heqin mundësinë kombëtares që dy ndeshjet e shtatorit për kualifikueset e Botërorit të luhen në Tiranë.

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të kthehet në fushën e lojës në fillimin e muajit shtator për tre sfidat e vlefshme për kualifikueset e Botërorit ndaj Polonisë, Hungarisë e San Marinos. Por kuqezinjtë nuk do të jenë në “Air Albania” për këto sfida, pasi stadiumi në fjalë nuk është për momentin në gjendje për të pritur ndeshje futbolli.

Lajmin e konfirmoi edhe Federata Kombëtare e Futbollit e cila tha se dy ndeshjet e kombëtares me Hungarinë dhe San Marinon do të luhen në stadiumin në Elbasan Arena.

FSHF ka nisur rishtrimin e tapetit të barit, i cili ishte shqetësimi më i madh në këtë impiant që kur ai hapi dyert. Tashmë po vendoset bari hibrid dhe ky proces pritet të përfundojë në gjysmën e muajit shtator.

Ky proces do t’i japë fund një herë e mirë problematikës kryesore që kishte ky impiant, atë të fushës, me këtë investim suplementar prej rreth 1 milion eurosh. Punimet kanë patur një ritëm të ngadalësuar për shkak të një vonese burokratike në dogana dhe si rrjedhojë dorëzimi i fushës nga kompania turke që ka marrë përsipër instalimin e saj do të ketë edhe një afat më të shtyrë nga sa ishte parashikuar.

Pasi janë bërë edhe një herë shtresat e bazamentit, sëbashku me kanalet kulluese, po montohet tapeti i barit artificial, që shërben si një shtresë skelet ku do të mbillet bari natyral. Deri nesër specialistët deklarojnë se do të mbyllin procesin e montimit të saj e më pas do të hidhet sërish një shtresë rënë e do të mbillet bari natyral, i cili është dominues deri në masën 95% të këtij tapeti hibrid.

Aktualisht punonjësit janë në garë me kohën sepse me datë 5 shtator kombëtarja shqiptare do të luajë kundër Hungarisë për eliminatoret e Botërorit. Deri më tani është shtruar vetëm 50% e fushës së gjelbër, ndërsa në kontratë pjesa tjetër duhet të mbyllet deri në fund të gushtit.

Konfirmimi ka ardhur nga zyra për shtyp e FSHF-së, e cila ka bërë të ditur se këtë fundjavë do të dalin në shitje edhe biletat për ndeshjen kundër San Marinos dhe Hungarisë pasi tashmë stadiumet do të jenë me kapacitet 30% për tifozët, sipas normativave ligjore aktuale

NJOFTIMI I FSHF
Shtatori rikthen Kombëtaren, me përfaqësuesen shqiptare që është e impenjuar në tre ndeshje zyrtare të vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”, ndaj Polonisë në transfertë më 2 shtator dhe Hungarisë e San Marinos në 5 dhe 8 shtator që do të luhen në shtëpi.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy ndeshjet brenda do të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena”, në ndryshim nga ndeshja me Anglinë e muajit mars që u luajt në stadiumin “Air Albania”. Shkak i këtij spostimi të paparashikuar është investimi për rinovimin e fushës. Investimi parashikon një tapet të ri hibrid, i cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, që pritet të jetë gati në mesin e muajin e shtator.

Sakaq bëjmë me dije se biletat për dy ndeshjet ndaj Hungarisë dhe San Marinos do të dalin në shitje ditën e shtunë, datë 21 gusht 2021. Për detaje në lidhje me biletat publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare të FSHF-së në rrjetet sociale.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *