Kreu i PD-së Sali Berisha ka komentuar statistikat e UNICEF për kequshqyerjen e fëmijëve në Shqipër.
Berisha tha se 47% e fëmijëve në Shqipëri vuajnë për kafshatën e gojës.
Ish-kryeministri theksoi se Shqipëria e narkoshtetit të Edi Ramës renditet 13 vende më keq se Ruanda që kaloi luftën e egër civile.
“Në historinë e njerëzimit në çdo barbari, në çdo fatkeqësi natyrore, në çdo pushtim, në çdo diktaturë, viktimat më të para, viktimat më të pafajshme janë fëmijët dhe para së gjithash fëmijët.
Së fundmi, organizata botërore për kujdesin e fëmijëve publikoi statistikën më tronditëse, statistikë që nuk është njohur kurrë në historinë e këtij kombi, sipas të cilës 47 përqind e fëmijëve në Shqipëri vuajnë në shkallë të ndryshme nga e rënda te e moderuara, për kafshatën e gojës, për ushqim.
Ky tregues është aktakuza më e tmerrshme pas shpopullimit të Shqipërisë ndaj Edi Ramës dhe klikës së hajdutëve të tij.
Të dashur miq, në këtë studim që përfshin 130 vende, Shqipëria vjen sot e varur në shtyllën e turpit të botës.
Shqipëria e Edi Ramës vjen sot në pozicionin më të zi, më çnjerëzor, më të turpshëm pas diktaturës së Taxhikistanit.
Shqipëria e narkoshtetit të Edi Ramës renditet 13 vende më keq se Ruanda që kaloi luftën e egër civile.
Muaj më parë, kur qeveria britanike kërkoi të depozitojë, të sjellë në Shqipëri refugjatë si në Ruandë, Edi Rama u shpreh se ne nuk jemi Ruanda.
Tragjike miq, Ruanda për ushqimin e fëmijëve, vogëlusheve të saj, qëndron 13 shkallë më lart se Shqipëria.
Shumë herë më lart qëndron Iraku. Qëndron Çadi, qëndrojnë pra vendet të cilat kanë kaluar luftëra të egra”, tha Berisha./ CNA