Nga Ylli Dylgjeri
Daljet e fundit me tone sulmuese e akuzuese të kryeministrit Rama ndaj sistemit bankar, sistemit të drejtësisë, përkatësisht SPAK, apo krybashkiakëve të vet, nuk janë risi apo rrufe në qiell të kaltër. Prej kohësh kryeministri ka adoptuar një mënyrë veprimi prej “të forti” dhe “Zeusi”, që bubullon me radhë herë kundër njërit e herë kundër tjetrit. Nëse i ndjek me kujdes vëren që këto sjellje “bubulluese”
nuk janë thjesht poza të një kryeministri mendjelehtë që
i pëlqen të duket. Përkundrazi, ato janë copëzat e një strategjie perverse armiqësimi që e ka bërë të vetën Edi Rama për të kontrolluar gjithçka në këtë vend.
Kë kërkon të armiqësojë Rama?
Askënd më shumë veçse shqiptarët me njëri-tjetrin, këtej dhe andej kufirit.
Njeriu i paqes dhe i mirëkuptimit me serbët, pjesëtari i zëshëm i ménage à trois të Ballkanit të Hapur, nuk e pati aspak vështirë të sillej me mungesë respekti me drejtuesit e politikanët në Kosovë për shkak se nuk i shkojnë pas avazit të unitetit me Serbinë.
Njeriu që prej më shumë se tetë vjetësh po drejton qeveri që janë dalluar për favore me paratë publike dhe me të famshmin mekanizëm PPP për një grup shumë të ngushtë të preferuarish, që në popull njihen me emrin «oligarkë», kur pjesën tjetër e rëndon me taksa e detyrime; tani po përpiqet me shumë zell të armiqësojë shqiptarët e varfër me pjesën që ai e shpall si të «pasur» me të njëjtin intonacion siç shpalleshin kulakët në vitet ‘44 e më pas.
E dëgjuam tek thoshte që çmimin e rritur të energjisë elektrike do ta paguajnë vetëm të pasurit, ku fut aty këdo që harxhon mbi 700kW. Por nuk e dëgjuam të thotë se përse ka lejuar keqmenaxhim me pasoja miliona eurosh të ndërmarrjeve që merren me prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike. Por me mendjen e tij efektin e arriti. Ajo pjesë më e varfër e popullsisë, që mbetet e varfër pikërisht për shkak të politikave të qeverive Rama, i ngrohet disi shpirti për «drejtësinë hyjnore» që vendos udhëheqësi i lavdishëm, duke ua rritur çmimit atyre të pasurve.
Po me të njëjtën mënyrë propagandoi edhe bordet e famshme të çmimeve, e kështu me radhë, për të mbërritur në sulmin më të fundit me terminologji vulgare që përdori ndaj sistemit bankar në Shqipëri, siç duket i vetmi sektor ekonomie që ende nuk ka rënë plotësisht në kthetrat e pushtetit të Ramës. Dhe përsëri sulmi ishte ngritur mbi diskursin: të ngrihemi kundër kulakëve dhe spekulantëve që po i pijnë gjakun popullit, këtë radhë me komisionet dhe radhët në sportelet e bankave.
Madje dhe skenarin e tribunës në atë takim e kish kurdisur në formatin e mosrespektimit të institucioneve që në mënyrën se si e kish ulur Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, një pozicion kushtetues në një institucion kushtetues të pavarur, në të njëjtin nivel skajor si drejtorja e tij në një agjencie qeveritare, që jo shumë kohë më parë i vodhën të dhënat e qytetarëve.
Me Guvernatorin në skaj, Kryeministri derdhte sulmin mbi drejtorët e të gjitha bankave në vend, me një injorancë të tejskajshme. Çdokush që ka një minimum njohurish se si funksionon një institucion financiar e kupton menjëherë se çfarë injorance demonstrohej në atë takim. Një lexim i pathelluar në mimikën e fytyrave të çdo njërit prej atyre drejtorëve e konfirmon injorancën me të cilën po sulmoheshin.
Por edhe pa njohuri minimale për një institucion financiar, duke parë se si u shpështoll filli i sulmit kryeministror, kupton fare lehtë që armiqësimi i popullit me bankat e ka tjetërkund qëllimin. Kryeministri siç duket nuk ndihet i qetë që krenaria e tij dhe e partisë së tij, armata e patronazhistëve, nuk ka ende në dorë të dhënat që sistemit bankar ka grumbulluar për qytetarët e këtij vendi.
Dëgjuam drejtoren e AKSHI-t tek jepte leksion për zhvillimin teknologjik pikërisht drejtuesve të atyre lloj bizneseve që kanë në përdorim më shumë se në çdo sektor tjetër teknologjinë. Ndërkohë që ne populli, që nuk frymëzohemi aq shumë nga gjuha armiqësore e kryeministrit, jemi ende në pritje të zbardhet skandali i daljes së të dhënave personale të qytetarëve të këtij, jo një herë por disa herë. Ne jemi në pritje të gjenden fajtorët e vërtetë, jo thjesht të ndalohen nja dy ditë nja dy specialistë-bedelë, që i kishin shitur për 20 mijë lekë gjithë atë thesar të dhënash.
Ne jemi në pritje për të zbuluar e ndëshkuara ata drejtues e punonjës që kanë investuar në sisteme të tilla, prej të cilave mund të vidhen kaq lehtë të dhënat. Ne jemi në pritje qoftë edhe të një përfundimi formal hetimi që duhet të kryejë Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Dreqi ta hajë ky Komisioner vetëm për këtë punë është krijuar, e kur i vjen puna në dorë zgjedh të sillet si struci duke futur kokën në rërë. Ne presim që Kryeministri të mësojë se ka institucione të pavarura dhe ashtu si Komisioneri, edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë duhet të na tregojë që është paksa profesionist në atë post që e ka prej tetë vjetësh. Dreqi ta hajë o Guvernator pavarësia për këto ditë duhet të demonstrohet.
Në përfundim z. Rama ju lutem pranoni dhe një këshillë. Mendohu më mirë kur të duhet të zbrazësh injorancën në fushën e bankave. Një bankier mund të flasë fare mirë për art e posaçërisht për piktura, sepse bankat janë ndër investueset dhe mbështetëset e mëdha të artit e kulturës. Por e anasjellta nuk është e vërtetë.