Kryeministri i vendit Edi Rama ditën e sotme ishte i pranishëm në Durrës ku në kuadër të projektit të qeverisë për të hartuar Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029), Rama u shpreh se parashikohen dhe investime në klasat e informatikës dhe përmirësimin e laboratorëve shkencorë.
Rama tha se jeta e të rinjve nuk duhet të jetë vetëm e lidhur me klasën dhe në i-phone, por të lidhet dhe me punën e duarve dhe kreativitetin artistik.
FJALA E RAMËS:
‘Dua t’ju them që pa asnjë dyshim, i gjithë ky cikël takimesh që janë organizuar nga ministria për rininë dhe fëmijët për nxënësit në të gjithë Shqipërinë. Kam marrë pjesë në disa prej tyre, nuk është gjë tjetër. Janë ato pika të përbashkëta që ju keni, të shqetësimeve apo dëshirave tuaja lidhur me mbarvajtjen e rrugës tuaj në këtë fazë të shkollimit. Për t’ju thënë se sa e rëndësishme është për ne, unë erdha pak me vonesë, nuk ishte në asnjë arsye tjetër, vetëm pune pasi jemi marrë me projekt buxhetin e vitit të ardhshëm Po jua them këtë se shqetësimet e këtyre takimve janë diskutuar me anëtarët e kabinetit për tu përfshirë në projekt buxhetin e vitit të ardhshëm.
Një nga çështjet që u prek dhe këtu është cilësia e ulët e mësimit të informatikës, pasi klasat e informatikës janë të një cilësie të ulët, ku nuk duhet të mësohet mekanikisht dhe teorikisht, por praktikisht.
Një temë tjetër që u diskutua është cilësia e mësimit në laboratorë, pasi laboratorët nuk janë të pasur dhe nxënësit ankohen për një mësim jo motivues në laboratore që mund t’i nxisë ata të mësojnë më shumë. Një temë tjetër është tema e edukimit mjedisor. Këtu dëgjova për vullnetarizmin dhe për edukimin mjedisor. Është për të ardhur mirë ky shqetësim
Po ashtu një tjetër temë që këtu mbase është edhe pak e lidhur me mjedisin ku jemi është tema e programeve artistike mbas mësimit, ku dikush ngriti çështjen e profilit muzikor, për shkak të lëndës që ka zgjedhur apo lidhjen me solfezhin, ndërkohë që kudo shqetësimi për karrierën është gjithmonë një problem. Ku lidhet e gjitha kjo rezyme që unë bëra. Sot ne vendosëm që në buxhetin e vitit të ardhshëm të adresojmë çështjen e mësimit në laborator dhe mësimin e informatikës. Ne do fillojmë punën për të plotësuar laboratorët e shkollave, me qëllimin që plotësimi i laboratorëve mos të jetë një objektiv afatgjatë, por një objektiv afatshkurtër, ashtu edhe për mësimin e informatikës. Ne sot kemi diskutuar vendosjen në dispozicion të programit të arteve dhe të zejeve në të gjitha shkollat, të një financimi të veçantë, ku do të përfshihen dhe vullnetarizmi. E tha shumë bukur një nga vajzat këtu që jeta e të rinjve të mos jetë e mbyllur në klasë dhe në kutin e i phone-it, por të jetë e lidhur edhe punën e duarve, kreativitetit artistik dhe dëshirën qytetare për t’u aktivizuar në punë në të mirë të komunitetit”.
/Priza.al/