Strehimi/ Nga kreditë e buta te granti 1 milion lekë, kush përfiton dhe si mund të aplikoni!

Qeveria do të mbështesë përmes një granti në vlerën e 1 milion lekëve familjet e reja. Ndërsa veç kredive të buta me interes 1.5 për qind dhe 3 për qind, pjesë e programit të strehimit janë edhe banesat sociale, si dhe banesat me kosto të ulët që ndahen për familjet ish-qiramarrëse.

Drafti për disa ndryshime në ligjin “Për strehimin social”, i hedhur së fundmi për diskutim, përcakton përveç programeve dhe kategorive përfituese, edhe kriteret që duhet të merren në konsideratë për përcaktimin e masës së kredisë, si dhe mënyrën e aplikimit.

“Ligji për strehim social nuk parashikon në asnjë rast sigurimin e strehimit falas, por bazuar në të ardhurat e familjes, ajo mund të përfitojë banesë sociale me qira ose banesë me kosto të ulët”, theksohet në draft.

PROGRAMET

Për familjet e reja apo edhe të rinjtë, parashikohet ndarja e një granti në vlerën e 1 milion lekëve. Por shuma, siç thuhet edhe në relacion, nuk do të jetë fikse, pasi vlerat e tregut janë të ndryshme nga një qytet në tjetrin. “Pika 2 e nenit 46 parashikon një grant të barabartë me 10 për qind të çmimit të shitjes së banesës për të gjitha kategoritë, përfshirë edhe të rinjtë dhe familjet e reja.

Nuk është reflektuar i plotë objektivi i qeverisë për t’u akorduar një grant prej 1 milion lekësh familjeve të reja, për faktin se kjo shumë fikse nuk ka të njëjtën vlerë si, p.sh. në Tiranë dhe në një bashki ku vlerat e tregut janë të ulëta”, thuhet në relacion.

Nga programi i kredisë me interes zero, mund të përfitojnë veç familjeve që banojnë si qiramarrës në ish-pronë private, edhe familjet e punonjësve të rënë në detyrë. Sa u takon kushteve që duhet të përmbushen, përveç mospasjes së një banese në emrin e tyre, si referuese do të shërbejnë edhe të ardhurat mujore, të cilat duhet të jenë më të ulëta se të ardhurat mesatare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.

Pra, bëhet fjalë për familje të cilat kanë të pamundur të përballojnë këstet e kredisë për blerjen e një banese. Pjesë e programit të strehimit janë edhe kreditë e buta me interes 1.5 për qind.

“Përfitojnë kredi me interes të barabartë me 1,5 për qind për banesën e parë, të rinj dhe familje të reja sipas përcaktimeve në nënndarjet iv) e v) të shkronjës b) të nenit 16 të këtij ligji”. Referuar ligjit përfitojnë bashkëshortët, mosha e përgjithshme e përbashkët e të cilëve arrin deri në 60 vjeç, si dhe familjet e policëve të rënë në detyrë.

Por sa duhet të jetë pragu i të ardhurave për të përfituar nga programet e strehimit?

“Sipas Kombeve të Bashkuara, një treg konsiderohet i përballueshëm nëse ky raport është 1:4. Për shembull, nëse çmimi mesatar i një apartamenti 2+1 në Tiranë është 9,76 milionë lekë, ky treg është i përballueshëm, nëse të ardhurat mujore mesatare të familjeve me 4 persona në Tiranë janë 200,000 lekë.

Për këtë treg banesash, familjet përfituese nga instrumenti financiar i interesave të kredive, duhet të kenë të ardhura mujore nën 135,000 lekë”, theksohet më tej në relacion.

APLIKIMI

Sa i takon mënyrës së aplikimit, kërkesa duhet të bëhet online përmes portalit “e-Albania”. “Përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet kërkesës në sistemin ‘e-Albania’, që ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave, i propozuar nga ministri përgjegjës për strehimin.

Personat që nuk kanë mundësi aksesi në sistemin ‘e-Albania’, u drejtohen qendrave one stop shop, pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore ku kanë vendbanimin. Dokumentacioni i nevojshëm që mbështet aplikimin për strehim, gjenerohet nga sistemi pa pagesë, përfshirë edhe vërtetimet negative nga Agjencia e Kadastrës”.

Vlen të theksohet se familjet të cilat nuk do të arrijnë të përfitojnë nga një program strehimi, do të mbeten në listë pritjeje për t’u trajtuar me një tjetër. Ose në rastet kur fondi është i pamjaftueshëm, do të trajtohen vitin pasues.

Vlera e kredisë për familjet ish-qiramarrëse

Miratimi i listave të familjeve që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 për qind, miratohen me vendim të komisionit të kredisë të ngritur pranë Entit Kombëtar të Banesave. Kufiri maksimal i kreditimit, sipas strukturës së familjes, llogaritet bazuar në çmimet mesatare të shitblerjes së banesave në treg, sipas aktit nënligjor në fuqi, që përcakton vlerat mesatare të shitblerjes së banesave në treg dhe sipërfaqen e apartamentit, që përfiton familja, bazuar në normat e strehimit në fuqi.

Konkretisht, një familje me 1 ose 2 anëtarë do të përfitojë një apartament me sipërfaqe deri në 45 metra katrorë, një familje me 3 anëtarë do të përfitojë një apartament me sipërfaqe 55 metra katrorë, me 4 anëtarë do të përfitojë 81 metra katrorë dhe me 6 anëtarë do të përfitojë 100 metra katror. Nëse apartamenti ndodhet në Tiranë, ku një metër katror kushton rreth 89 137 lekë, atëherë vlera e kredisë për një apartament me sipërfaqe 81 metra katrorë do të jetë rreth 7.2 milionë lekë.

Ndryshimet ligjore, ndalohet privatizimi i banesave sociale

Qeverisë i është dashur që të ndërhyjë me anë të ligjit për të penguar shitjen e banesave sociale, një fenomen që ka nisur të vërehet në disa bashki të vendit.

“Neni 11 ka bërë disa ndryshime sa i takon nenit 40, lidhur me ndalimin e privatizimit, pasi vihet re një preferencë e NJVV për privatizimin e banesave sociale që përftohen nga adaptimi i objekteve ekzistuese, ndërkohë që duhet të krijojmë një stok të mjaftueshëm banesash sociale (banesat sociale në Shqipëri zënë 0,2 për qind të totalit të banesave, krahasuar me deri në 2 për qind në ish-vendet e kampit socialist, deri në 10 për qind disa vende si Italia, apo mbi 20 për qind disa vende si Holanda).

Një arsye tjetër për ndryshimin e nenit 40, lidhet me përcaktimin e kuptimit dhe qëllimit të programit për përmirësimin e lagjeve të varfra, bazuar edhe në eksperiencën 3- vjeçare të zbatimit të programeve. Njëkohësisht, riformulimi i pikës 3 të nenit 40, pasi heq konceptin e përdorimit të granteve për përmirësimin e banesave “deri në ndërtim të ri”, pasi, nëse një subjekt ka nevojë për ndërtim të ri banese, ai duhet të trajtohet me programe të tjera (banesë sociale me qira ose banesë me kosto të ulët) dhe jo t’i falet banesa.

Politikat e strehimit, të miratuara në vitin 2004, nuk njohin më falje të banesës, por vetëm lehtësim të aksesit në strehim të përballueshëm sipas aftësive financiare të familjeve”, thuhet në relacionin që shoqëron draftin “Për strehimin social”. Nga ana tjetër, pengohet po ashtu edhe shitja e banesave me kosto të ulët të siguruara nga Enti Kombëtar i Banesave për një periudhë 15- vjeçare.

“Neni 17 shton një pikë në nenin 49, e cila risjell një masë detyruese për rastet kur banesa me kosto të ulët është siguruar nga Enti Kombëtar i Banesave për të mos e shitur banesën për një periudhë 15-vjeçare dhe, nëse për arsye të përcaktuara në ligj do të duhet ta shesë, duhet t’ia ofrojë për blerje këtij të fundit”, theksohet në relacion./gazeta shqiptare

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *