-Sipas një studimi, 14.6% e sipërfaqes së Tokës në botë është ndryshuar nga njeriu.
-Kjo është e barabartë me 18.5 milionë km², një hapësirë më e madhe se Rusia.
-Ndikimi i njerëzve në sipërfaqen e Tokës mund të marrë forma të ndryshme, përfshirë qytetet dhe fshatrat, deri te ndryshimi i sistemeve natyrore.
-Egjipti, Roterdami dhe Virxhinia Perëndimore shfaqin nivele dhe lloje të ndryshme modifikimi, që kanë ndikuar në sipërfaqen e Tokës.
Me popullsinë në Tokë që po i afrohet 8 miliardëshit (me siguri kjo do të ndodhë në vitin 2023), ndikimi ynë në planet po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u shpërfillur me kalimin e viteve.
Qytetet tona, infrastruktura, bujqësia dhe ndotja janë të gjitha forma presioni që po i krijojmë botës natyrore. Kjo hartë e David M. Theobald et al tregon se sa pjesë të planetit kemi ndryshuar tashmë. Studiuesit vlerësojnë se 14.6% ose 18.5 milionë km² territor është ndryshuar – kjo është një hapësirë më e madhe se Rusia.
Përcaktimi i ndikimit njerëzor
Ndikimi i njerëzve në sipërfaqen e Tokës mund të marrë forma të ndryshme. Kërkuesit kanë përdorur një metodë komplekse për të klasifikuar “ndryshimet” që kemi bërë. Në fund, për të krijuar këtë hartë janë përdorur 10 faktorë stresorë:
Zonat e ndërtuara: Të gjitha qytetet dhe qytezat tona
Bujqësia: Hapësira për kultura dhe kullota
Burime energjetike dhe të nxjerrshme: Kryesisht vende ku nxirret naftë dhe gaz
Miniera dhe gurore: Nxjerrje të tjera të burimeve natyrore nga toka, duke përjashtuar naftën dhe gazin
Termocentrale: Zona ku prodhohet energji – si energji e rinovueshme edhe e parinovueshme
Korridore transporti dhe shërbimi: Kryesisht rrugë dhe hekurudha
Prerjet: Kjo mat humbjen e pyjeve që lidhet me prodhimin e produkteve (përjashton faktorët si zjarri i egër dhe urbanizimi)
Ndërhyrja njerëzore: Zakonisht zona ngjitur me qendrat urbane dhe rrugët në të cilat hyjnë njerëzit
Ndryshimi i sistemeve natyrore: Kryesisht ndryshime në rrjedhën e ujit, duke përfshirë krijimin e rezervuarëve
Ndotja: Fenomeni si shiu acid dhe mjegulla e shkaktuar nga ndotja e ajrit
Përshkrimi i klasifikimit është i thjeshtuar. Shikoni metodologjinë për përshkrimet dhe llogaritjet e plota.
Kontrastet e përdorimit të tokës – Egjipt
Thuajse e gjithë popullsia e Egjiptit jeton përgjatë Nilit dhe deltës së tij, duke e bërë një vend interesant për të shqyrtuar përdorimin e tokës dhe ndikimin njerëzor. Qytete dhe toka bujqësore me dendësi të madhe pas lumit dallohen qartë në hartën e ndryshimeve njerëzore, ndërkohë që shkretëtira aty pranë tregon një ndikim më të vogël.
Ndryshime intensive – Holanda
Holanda ka disa prej peizazheve më shumë të ndryshuara në Tokë, për këtë arsye, mënyra se si shfaqet në hartë nuk është surprizë. Zona e treguar në hartë, porti karakteristik i Roterdamit dhe hapësira që e rrethon, shfaqet tërësisht me ngjyra, në krye të shkallës së ndryshimit njerëzor.
Nxjerrja e burimeve – Virxhinia Perëndimore
Nuk janë vetëm qytetet dhe fshatrat që shfaqen më qartë në këtë hartë, por edhe zona ku nxjerrim lëndët tona të para. Ky rajon malor i Virxhinias Perëndimore, në SHBA, është një shembull vizual shumë i qartë.
/Burimi: World Economic Forum/ Përshtati: Priza.al/