Përdorimi i barnave si ibuprofeni dhe steroidet për të lehtësuar problemet shëndetësore afatshkurtra mund të rrisë shanset për të patur dhimbje kronike, sugjeron një studim i ri.
Rimëkëmbja natyrale nga një dëmtim i dhimbshëm përfshin inflamacionin – reagimin natyror të trupit ndaj lëndimit dhe infeksionit – dhe hulumtimet e reja sugjerojnë se bllokimi i inflamacionit me ilaçe mund të shkaktojë probleme më të vështira për t’u trajtuar.
Mund të ndodhë që inflamacioni të ketë një efekt mbrojtës, siç është parandalimi i dhimbjes akute që të bëhet kronike dhe se reduktimi i tepërt i tij mund të jetë i dëmshëm.
Studiuesit thanë se dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës ishte forma më e zakonshme e raportuar e dhimbjes kronike – dhimbje që vazhdon për më shumë sesa pritej pas lëndimit. Ata thanë se të dhënat u mbështetën te një analizë e veçantë e 500,000 njerëzve në studimin e Biobank (bazë të dhënash biomjekësore dhe burim kërkimor që përmban informacione të thelluara gjenetike dhe shëndetësore) në Mbretërinë e Bashkuar, i cili tregoi se ata që merrnin ilaçe anti-inflamatore kishin më shumë gjasa të kishin dhimbje dy deri në 10 vjet më vonë. Ky efekt nuk u pa te njerëzit që merrnin paracetamol ose antidepresivë.
Prof. Blair Smith, nga Universiteti i Dundee, tha: “Teoria është se inflamacioni mund të ketë një efekt mbrojtës në planin afatgjatë dhe se ulja e tepërt e inflamacionit mund të jetë e dëmshme. “Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ky është vetëm një studim dhe nevojiten më shumë kërkime për të konfirmuar dhe hetuar më tej.”
Burimet: Science Translational Medicine, Guardian