Ka qenë prej kohësh një mister se përse një nga përvojat më bazike njerëzore, ndjenja e dhimbjes fizike luhatet në intensitet gjatë gjithë ditës. Që në fillimet e mjekësisë, mjekët dhe pacientët kanë vënë re se shumë lloje dhimbjesh, priren të përkeqësohen gjatë natës.
Shumica e studimeve të deritanishme, janë përpjekur që t’i lidhin dhimbjet në rritje gjatë natës me mungesën e gjumit apo gjumin e ndërprerë por, me një sukses të kufizuar. Në një studim të botuar së fundmi, shkencëtarët e udhëhequr nga Klod Gronfier në Qendrën Kërkimore të Neuroshkencës në Lion në Francë, kanë hedhur më në fund dritë mbi ndryshimin e ndjeshmërisë ndaj dhimbjes, duke sugjeruar se është ora jonë cirkadiane, ajo që i dikton këto ndryshime, me një kulm dhe kufi karakteristik të intensitetit në periudha të ndryshme të ditës.
Studimi i Gronfier dhe ekipit të tij, zbuloi ndikimin e këtyre ritmeve tek dhimbja, duke treguar se një stimul i shkurtër që shkaktonte dhimbje, perceptohej të ishte më i fortë rreth orës 3 të mëngjesit, dhe më pak i dhimbshëm rreth orës 3 të pasdites, pra 12 orë më vonë. Pjesëmarrësit në studim u shtrinë në një dhomë me ndriçim të dobët për të paktën 24 orë. Ata nuk u lejuan të flenë, të largohen prej andej apo të ngriheshin në këmbë për të përdorur banjën. Ndërkohë iu dha çdo orë një sasi e vogël ushqimi. Po ashtu, ata mund të bisedonin me anëtarët e ekipit të studimit, por stafi u ndalua t’i përmendë çdo gjë që lidhej me kohën.
Për të zbuluar natyrën ritmike të dhimbjes, ekipi i Gronfier angazhoi 12 të rinj të shëndetshëm, të cilët ranë dakord t’i nënshtroheshin protokollit për 34 orë. Çdo dy orë, ekipi testoi ndjeshmërinë e tyre ndaj dhimbjes duke përdorur një pajisje të vendosur në parakrah, temperatura e të cilit rritej ngadalë, derisa ata raportonin dhimbje. Zakonisht pjesëmarrësit e ndalonin pajisjen përpara se të arrinte rreth 46 gradë Celsius.
Ndërkohë ata u testuan gjithashtu me pajisjen e vendosur në temperatura specifike (42. 44 dhe 46 gradë Celsius), dhe më pas iu kërkua të vlerësonin në një shkallë vizuale nivelin e dhimbjes që ndjenin. Përpara se ekipi të mund të identifikonte ritme tek këto të dhëna, ai mblodhi mostra të pështymës çdo disa orë, për të vlerësuar rritjen e nivelit të melatoninës, një hormon që çlirohet rreth dy orë para gjumit normal të çdonjërit nga ne.