Një stuhi e fortë ka mbërthyer Evropën veriore këtë të diel, duke shkaktuar katër viktima.
Erërat e forta goditën Britaninë e Madhe, Danimarkën, Poloninë dhe Gjermaninë, dhe lanë qindra mijëra shtëpi pa energji elektrike. Ndërsa janë shtuar paralajmërimet për përmbytje. Stuhia e cila njihet si Nadia në Gjermani dhe Malik në vende të tjera, ka nisur zhvendosjen drejt lindjes, ndërsa në kryeqytetin gjerman, Berlin, u shpall gjendja e emergjencës.
Përmbytjet në shumë pjesë të Danimarkës shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale. Disa aksidente trafiku të shkaktuara nga rënia e pemëve dhe mbeturinat fluturuese u raportuan në polici.
Pjesët jugore të Suedisë u goditën keq gjithashtu, dhe mijëra familje ishin pa energji elektrike të dielën pasdite. Tragetet për në ishullin Gotland të Detit Baltik u anuluan për shkak të erërave të forta.
Dëme të rënda në shtëpi, makina dhe varka, ndër të tjera, u raportuan në Norvegji, ndërsa reshjet e dendura të borës në të gjithë Finlandën shkaktuan përplasje rrugore dhe ndërprenë trafikun e autobusëve dhe trenave në disa pjesë të vendit.
/Priza.al/