Qeveria ka hapur aplikimet për subvencionimin e qytetarëve për panele diellore prej një muaji tashmë.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se deri më tani kanë aplikuar 3791 persona, ndërsa shkruan se kjo nismë po ecën me ritme të mira. Më tej, ai thekson se do të vazhdojnë t’i mbështesin qytetarët në këtë krizë energjetike.
“Po ecën me ritme të mira projekti i paneleve diellore për ngrohjen e ujit për të mbështetur kryesisht konsumatorët familjarë. Prej 1 Nëntorit ka nisur aplikimi i qytetarëve për këtë skemë, kosto e cila do të subvencionohet në masën 70% nga Qeveria.
Japim garancinë se do të vazhdojmë të mbështesim dhe të mbrojmë konsumatorin shqiptar në këtë situatë krize energjie globale”, shkruan Rama.
Aplikimet janë hapur që me 1 nëntor, ndërsa nga kjo nismë e qeverisë do të përfitojnë 2 mijë familje. Qeveria do t’u subvencionojë fituesve 70% të kostos. Me instalimin e paneleve diellore kursehet 20% e kostos së përgjithshme të faturës së energjisë elektrike.