Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka reaguar për ngjarjen e fundit, ku policia kapi 80 mijë litra naftë të kontrabanduar nga një peshkarexhë.
Disa ditë më parë Sula në foltoren e kuvendit ngriti shqetësimin sesi është e mundur që ka një rritje të mjeteve dhe ka një ulje të importit të naftës, por sipas tij ministrja Ibrahimi i bëri bisht kësaj çështjeje. Ai ka bërë një thirrje që mos të blejmë më naftën e vendit si të importuar.
Postimi i Sulës
Apelova organet ligj zbatuese që të marrin masa se disbalanca ku rritet numri i automjeteve dhe ulet sasia e naftës së importuar është indicie për një aferë të madhe me dëm ekonomik miliona euro për buxhetin e shtetit dhe xhepat e qytetarëve.
Në parlament ministrja Ibrahimaj me pirueta politike tentoi ta fshehte një skandal të tillë. Por mesa duket në këtë vend ka akoma njerëz të përgjegjshëm dhe i marrin seriozisht shqetësimet reale.
Policia e Shtetit ka njoftuar sot se ka bllokuar një peshkarexhë me 80 mijë litra naftë të kontrabanduara, në portin e Durrësit dhe se kanë shpallur në kërkim 3 persona të cilët dolën në det me peshkarexhën pa njoftuar kapitenerinë e Durrësit.
Jam i bindur se ky rast është vetëm maja e majës së Iceberg-ut. Duke përgëzuar punën e policëve të ndershëm, inkurajoj çdo punonjës në forcat e rendit, prokurori, në dogana dhe çdo kapilar që ka lidhje me ligjzbatimin, që të mos bëhen pjesë e llumit të korruptuar por të godasin pa mëshirë përmes forcës së ligjit çdo abuzues. Të gjithë strukturat e përmendura më sipër duhet të dijnë se çdo abuzim nga cilido ndikon tek të gjithë, te qytetarët e thjeshtë dhe te familjarët e tyre. Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit e bën shqipërinë një vend më të jetueshëm për të gjithë. Te mos e blejmë naftën e “Ballshit” për naftë importi!