Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë në një sulm të armatosur në veri të Kosovës, njofton ky institucion. Ata shtojnë se sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Srbovac të komunës së Zveçanit.
Njësitet në detyrë janë sulmuar nga “persona të armatosur me gypa të gjatë, nga një veturë Audi, ngjyrë gri, numër regjistrimi KM”, që është numri i targës së lëshuar nga autoritetet e Serbisë deri më tani.
Në vendngjarje kanë mbërritur njësitet policore që kryejnë hetimet, ndërsa polici i plagosur është transportuar në spital.
Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri të Kosovës, ku incidentet kanë qenë të shpeshta ditëve të fundit.
Menjëherë pas njoftimit të policisë së Kosovës, shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, u është drejtuar mediave. Ai tha se kryeministri i Kosovës, Aljbin Kurti, ka vazhduar të enjten në mbrëmje me “veprime të paligjshme dhe të dhunshme që kanë për qëllim pushtimin e veriut të Kosovës”.
Ai nuk ka ofruar asnjë provë për pretendimet e tij.
“Beogradi do të shqyrtojë, në përputhje me Rezolutën 1244, kthimin e deri në 1000 forcave tona të sigurisë në veri të Kosovës, siç parashihet në Rezolutën 1244, nenin 4 dhe nenin 6 të Aneksit 2”, tha Petkoviq.
Incidentet e mëparshme
Më 7 dhjetor, dy mjete shpërthyese u hodhën në veri të Mitrovicës, ndërsa një ditë më parë pati incidente në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, kur u rrënuan zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës. U përdorën armë zjarri dhe granata dore.
Në katër komuna në veri të Kosovës – Severna Mitrovica, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – jeton popullata me shumicë serbe.
Në ato komuna zgjedhjet lokale janë caktuar për 18 dhjetor. Lista Serbe, partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.
Pse opozita në zgjedhje?
Përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët udhëhoqën katër komuna në veri, dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve nga targa serbe në RKS – targa të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, palët arritën një marrëveshje. Kosova pranoi të pezullojë planin e saj të ri-regjistrimit të makinave, ndërsa Serbia u zotua të mos lëshojë targa të reja për serbët në veri.
Edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri dhanë dorëheqje, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.
Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani , ka deklaruar më 8 dhjetor se vendimi për zgjedhjet do të merret brenda dy ose tre ditëve.