Prokuroria e Përgjithshme dhe Shoqata Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë (AIAMP) nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, ku shprehën gatishmërinë për bashkëpunimin në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave dhe çdo krim tjetër me interes të përbashkët si dhe për përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe shkencore në fushën e të drejtës penale.
Memorandumi u nënshkrua në ditën e dytë të takimit që Shoqata Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë po zhvillon në Kartagjenë, Kolumbi, 28-29 korrik. Anëtarë të kësaj shoqate janë prokuroritë e vendeve të Amerikës Latine dhe Spanjës. Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, nënvizoi faktin se krimi kibernetik dhe përdorimi gjithnjë e më masiv i teknologjisë në kryerjen e krimeve me karakter transnacional, kërkon urgjentisht një rritje të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, të aftë për t’i kuptuar dhe përballuar ato.
Ai theksoi gjithashtu se: “Në nivel global, ka një ndërveprim në rritje midis kriminelëve të të gjitha llojeve. Ata po përdorin me sukses të gjitha mundësitë që ofron dixhitalizimi. Rritja eksponenciale e përdorimit të kriptomonedhave dhe rreziku që ato paraqesin përsa i përket çështjeve të sigurisë, si për shembull mundësitë që krijojnë për të lehtësuar pastrimin e parave, është një shembull i qartë i nevojës urgjente për të ripërcaktuar modelet dhe strategjitë e luftës ndaj krimit. Nuk ka kohë për të humbur. Ne jemi të detyruar t’i përshtasim strukturat dhe prioritetet tona ndaj këtyre tendencave”.
Sipas kryeprokurorit, përmes bashkëpunimit do të konsolidohen përvojat dhe kapacitetet si dhe do të rritet kohezioni i reagimit të organizuar institucional ndaj kërcënimeve serioze për sigurinë e përbashkët. EU4FOCAL asistoi procesin deri në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit. Gjatë takimit u nënshkrua gjithashtu edhe një Memorandum Bashkëpunimi midis Eurojust dhe Shoqatës Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë (AIAMP).