Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmet ndaj EULEX dhe ndaj policisë, në veri të Kosovës. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale Rama shprehet se rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj dialogu, madje komplikon më tej çdo gjë.
“Sulmet mbi EULEX janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!” shprehet Rama.
Kryeministri mes të tjerash ka vlerësuar, aktin e marrë nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila vendosi për shtyrjen e votimeve në atë zonë.
“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!
Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.” shkruan Rama.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.
EULEX-i bëri të ditur se “asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, por i cilësoi sulmet e tilla të papranueshme.
“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it në Facebook.
Në këtë njoftim tutje thuhet se EULEX-i do ta vazhdojë punën për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe për sigurinë e qytetarëve.
“Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”, thanë nga EULEX-i.